Policia e Tepelenës ka parandaluar një tragjedi dhe përshkallëzimin e një sherri mes 4 të rinjsh duke arrestuar një 17-vjeçar, i cili dyshohet se tentoi të vriste me automatik dy bashkëmoshatarët e tij.

 

Sipas policisë, ngjarja e rëndë u parandalua falë një telefonate, e cila zbulonte se një i ri po terrorizonte banorët duke qarkulluar me automatik.

 

Mësohet se i riu, pas një konflikti të çastit, me tre bashkëmoshatarë është larguar në drejtim të shtëpisë për të marrë automatikun, ç’ka mund të sillte përshkallëzimin e ngjarjes. Bëhet me dije, se pas ndërhyrjes “blutë” kanë arritur të neutralizojnë dhe të shoqërojnë në Komisariat 17-vjeçarin me inicialet R.H.

 

Njoftimi i policisë:Tepelenë/Falë ndërhyrjes në kohë nga Policia, parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm me pasoja të rënda për jetën i një konflikti mes disa adoleshentëve.Sekuestrohet një armë zjarri automatik, me krehër me fishekë dhe një sasi me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.Arrestohet në flagrancë një 17-vjeçar.Në sallën operative Tepelenë, ka ardhur një telefonatë se në lagjen “15 Shtatori”, Tepelenë, një shtetas qarkullonte me armë zjarri. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, falë ndërhyrjes së menjëhershme dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, është bërë e mundur kapja dhe neutralizimi i shtetasit R. H., 17 vjeç, banues në Tepelenë, si dhe sekuestrimi i armës së zjarrit automatik që ai mbante me vete.Ky shtetas, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, me tre bashkëmoshatarë, është larguar, ka marrë një armë zjarri dhe më pas është rikthyer në vendin e konfliktit.Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve policore është kapur dhe shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, shtetasi R. H., i cili në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë.Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e shtetasit R. H., u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.Në ambientet e Komisariatit të Policisë Tepelenë janë shoqëruar edhe tre shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt.Po punohet për sqarimin e rrethanave të konfliktit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re