BULQIZE – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Bulqizë mbrëmjen e sotme, pasi një person ka plagosur me thikë vëllanë dhe nipin e tij.

Me datë 13.05 2018, rreth orës 17.00, është marrë njoftim se në fshatin Ostren i Madh, Bulqizë, po ndodhte një konflikt në familje, deri në përdorimin e mjeteve prerëse. Menjëherë shërbimet e policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ku falë ndërhyrjes së tyre kanë parandaluar përshkallzimin e mëtejshëm të konfliktit.

Shtetasi Hiqmet Tola, 43 vjeç, banues në Ostren i Madh, ka goditur me mjete prerëse shtetasit F.T, 52 vjeç, (vëllai), dhe A.T,  25 vjeç, ( djali i shtetasit F.T), të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e Peshkopisë.

Gjatë  këtij konflikti  kanë marrë dëmtime të lehta  edhe  shtetaset S.T, dhe A.T, ( nëna dhe  gruaja e shtetasit H.T), të cilat kanë marrë ndihmë  mjekësore nga mjeku  në banesën e tyre. Konflikti dyshohet se ka ndodhur për motive pronësie.

Shtetasi H.Tola, është kapur nga policia, i cili pasi  ka marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Peshkopisë, është shoqëruar në ambjentet e policisë ku po kryhen procedurat për arrestimin e tij, si i dyshuar për kryerjen e   veprës penale “Plagosje e rëndë me dashje”.

Vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes.

 (BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re