Një seancë qeveritare në Malit të Zi është ndërprerë pas një sherri mes kryeministrit ende në detyrë Zdravko Krivokapiç dhe ministrit të Jashtmëm Gjorgje Raduloviç.

Gjithçka arriti kulmin kur qeveria malazeze diskutoi vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Qeveria e Malit të Zi zyrtarisht njoftoi se seanca është ndërprerë “për shkak të mosmarrëveshjeve në procedurën e miratimit të vendimit për zbatimin e sanksioneve të përcaktuara në pikat 11,12,13 të rendit të ditës të miratuar”.

“Arsyeja e ndërprerjes së seancës nuk është vetëm në pjesën procedurale, por edhe në mungesën e respektit dhe sjelljes së pahijshme të ministrit Raduloviç ndaj kryeministrit Zdravko Krivokapiç”, thuhet në njoftim.

Një burim ka thënë për Vijesti-n se Krivokapiç ka ndryshuar konkluzionet e tij, përkatësisht është kundër që sanksionet të miratohen në formën në të cilën janë miratuar nga Komisioni për Sistemin Politik.

Kryeministri i Malit të Zi dyshohet se ka propozuar që Ministria e Punëve të Jashtme të fuqizohet për të harmonizuar politikën e jashtme me vendimet e Bashkimit Evropian, gjë që sipas tij nuk është e mundur ligjërisht sepse sanksionet duhet të zbatohen nga të gjitha organet, jo vetëm MPJ.

Kundër kësaj u rebeluan Raduloviç dhe zëvendëskryeministri e kryeministri në pritje Dritan Abazoviç dhe pasoi një polemikë, pas së cilës Krivokapiç ndërpreu seancën.

Me ndryshimin e konkluzioneve, kryeministri Zdravko Krivokapiç u përpoq ta bënte të pakuptimtë vendimin për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, tha zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç.

Ai tha se ndryshimi i konkluzioneve është i papërshtatshëm për një vend që po udhëheq procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe anëtar i NATO-s.

“Ne i urojmë më të mirën të gjithëve, duam që politika në kohë paqeje të përhapet kudo, por në situata krize ne duhet të mbajmë anën,” tha Abazoviç, i cili pritet të zëvëndësojë Krivokapiçin në krye të qeverisë.

Ai vlerësoi se ata që mendojnë ndryshe, po i bëjnë dëm të madh Malit të Zi, dhe e minojnë qëllimin më të madh të politikës së jashtme të shtetit – anëtarësimin e plotë në BE.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re