Opozita në Këshillin Politik dorëzon kërkesën për të marrë ekspertizën e OSBE-ODIHR.

 

Kërkesa e opozitës në Këshill vjen pasi OSBE-ODIHR rikonfirmoi gatishmërinë për të dhënë asistencë

 

Marrëveshja e 14 Janarit 2020 përmban një klauzolë themelore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes palëve. Sipas kësaj klauzole, në rast mosdakordësie për çështje të caktuara, do të kërkohet opinioni dhe asistenca nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE/ODIHR, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme. Kjo pikë përcakton qartë që në Këshill kriteri themelor është konsensusi dhe se çdo zgjidhje duhet te jetë e pranueshme nga palët. Kjo klauzolë mundëson marrjen e opinionit dhe ndihmës së specializuar mbi çështjet e debatuara përpara se ato të draftohen bashkërisht me konsensus.

 

Sipas letrës së firmosur nga Bylykbashi dhe Vasili, Partia Socialiste propozon ndryshimin e mekanizmit të garimit zgjedhor dhe të formulës përkatëse që kthen votat në mandate, e që përfshin edhe koalicionet.

 

Ky propozim i njëanshëm, është i papranueshëm për Opozitën, sepse ai ndryshon rregullat bazë të garimit dhe shpërndarjes së mandateve të mbledhura në garën zgjedhore, pa shkak të ligjshëm dhe vetëm 4 muaj para fillimit të regjistrimit të subjekteve zgjedhore. Duke qenë se Presidenti i Republikës ka dekretuar datën e zgjedhjeve dhe procesi zgjedhor ka filluar, kjo përbën ndryshim të rregullave në mes të procesit zgjedhor, shton më tej opozita.

 

Mes të tjerash opozita shton se argumenti i Partisë Socialiste se ndryshimet e njëanshme kushtetuese të 30 Korrikut, diktojnë ndërhyrjen në Kodin Zgjedhor në lidhje me formulën e koalicioneve dhe atë të shpërndarjes së mandateve, është tërësisht i pabazë.

 

Nisur nga kjo mosdakordësi, sipas opozites, Këshilli Politik duhet të kërkojë paraprakisht opinionin e ekspertëve të OSBE/ODIHR-it dhe të pranojë asistencën e tij.

 

Për këtë qëllim, në përputhje me pikën 2, paragrafi i tretë, të Marrëveshjes për kornizën e bashkëpunimit për Reformën Zgjedhore të 14 Janarit 2020, në emër të Opozitës kërkojmë që Këshilli Politik t’i kërkojë zyrtarisht OSBE/ODIHR-it asistencë për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për palët, në përputhje me standartet e OSBE-ODIHR dhe Këshillit të Europës për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re