Pas incidentit që ndodhi më 5 maj nën këmbët e Nënës Shqipëri është hapur një debat i fortë në opinion mbi marrëdhëniet e Partisë Demokratike me trashëgiminë e Luftës së Dytë Botërore dhe komunistët.

Një pjesë intelektualësh pranë opozitës e quajtën “dajakun” ndaj pleqve si “melhem”, sado me dozë të vogël për të zbutur plagën që diktatura e Enver Hoxhës hapi në shoqërinë shqiptare në masakrimin dhe persekutimin e mijëra shqiptarëve.

Madje këtë linjë e mbajtën edhe njerëz pranë Lulzim Bashës. Mirëpo kjo duket si një linjë e re politike që PD-ja e ka shpallur sot, ndërkohë që për rreth 28 vjetë kishte një linjë tjetër.

5 Maji është një datë e vendosur me ligj si “Dita e Dëshmorëve”. Këtë ligj e njohu dhe e vazhdoi PD-ja për gjithë këto vite.

Një këshilltar i Lulzim Bashës, ish-pjesëtar i stafit të Sali Berishës kur ishte kryeministër, Neritan Sejamini, profesor universitar, shkruante se “Qemal Stafa nuk përfaqëson një luftëtar kombi por thjesht një komunist, ndaj nuk duhet të njihet dita e vrasjes së tij si ditë dëshmorësh”.

Por pas ardhjes në pushtet në vitin 1992, PD-ja pikërisht tek figura e Qemal Stafës e ngriti akuzën e saj ndaj diktaturës së Enver Hoxhës.

Berisha, çdo 5 Maj vizitonte familjarët e Qemal Stafës, të cilët në intervista televizive deklaronin se familjarin e tyre e vrau Enveri. Pra ishte PD-ja që u mbështet tek Qemal Stafa dhe shumë emra të tjerë të lëvizjes komuniste, duke i cilësuar si viktima të komunizmit.

Por nuk mbaron me kaq marrëdhënia e çuditshme e PD-së me komunistët. Rasti i 8 majit 2011 është më emblematiku. Bëhet fjalë për zgjedhjet lokale për Bashkinë e Tiranës.

PD-ja kandidoi një “yll në ngjitje” të saj: Lulzim Bashën për të mundur Edi Ramën. Për këtë u morën të gjitha masat për të mbledhur vota majtas e djathtas. PD-ja ishte zyrtarisht në koalicion me LSI-në e Ilir Metës.

Për të siguruar sa më shumë vota u bë e mundur që të eleminoheshin faktorët që marrin vota djathtas. Basha afroi në aleancë Dash Shehin, i cili në zgjedhjet e  Tiranës arrinte që të thithte më shumë se 3 mijë vota tiranasish autoktonë. Rikandidoi gjithashtu kryetar të Njësisë nr.8 Arben Tafajn, i cili gjithashtu mblidhte vota të tiranasve të vjetër.

Me llogaritë e të gjithë ekspertëve që bënin sondazhe në ato kohë dilte se gara Rama-Basha ishte “rrotë më rrotë”: 250 mijë vota njëri dhe 250 mijë vota tjetri.

Për të bërë diferencën, LSI-ja u kujdes që të kryente një negociatë me komunistët e Hysni Milloshit që të kandidonte për të hequr sa më shumë vota të mundet nga PS-ja dhe Edi Rama. Në fund, kjo lëvizje doli “brilante”.

Hysni Milloshi mori rreth 1700 vota, të cilAt sipas diferencës me 10 vota ndërmjet Ramës dhe Bashës qëlluan të ishin “vota të arta”. Pasi nëse i ndjeri Hysni Milloshi nuk do të kandidonte, të gjithë ato vota do të shkonin për PS-në praktikisht dhe fitorja e Edi Ramës do të ishte e skontuar.

Kreshnik Spahiu, një aleat i PD-së në vitin 2017 shkruan në rrjetet sociale se si pjesë e asaj aleance komunistët morën 100 mijë euro. Një akuzë që natyrisht duhet parë konkretisht pasi nuk ka pasur gjë publike, por aleanca ndërmjet Bashës dhe Hysni Milloshit ishte ajo që i siguroi atij mandatin 4-vjeçar në krye të bashkisë Tiranë.

Votat e komunistëve nuk i quajti askush si “të qelbta” nga ana e përfaqësuesve zyrtarë të antikomunistëve, megjithëse shumë ish-të përndjekur të palineuar e sulmuan ashpër PD-në për këtë akt. Pasi politika në fund është matematikë, por përpara se të shkohet të matematika politika është marrëveshje.

Dhe fakti është se PD-ja bëri marrëveshje me komunistët kundër socialistëve të Edi Ramës. Dhe kjo marrëveshje që ka mbetur në histori, nuk mund të fshihet thjesht me ca grushte e hunj ndaj disa personave të moshuar…

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re