Andreja Pepkolaj nga Tirana pretendon se zgjidh problemet shëndetësore e sociale të njerëzve duke u lutur e kryer rituale kundrejt pagesave. Gazetarja e Fiks Fare kontakton me “shëruesin” popullor, siç e prezanton ai veten, nëpërmjet numrit të telefonit që ka shënuar në kartvizitën që u shpërndan njerëzve nëpër kryeqytet.

Pas telefonatës “shëruesi” popullor lë takim me gazetaren në një lokal, por ai kishte vetëm një kërkesë, të mos përmendje Jezus e Allah, por vetëm besim te Perëndia. Gazetarja e Fiksit u takua me “mjekun” ne kafe, ku i kërkoi ndihme për një problem shëndetësor, sinozitin.

Mjeku pretendon se për 20 minuta e hiqte sinozitin, duke prekur njërin gisht të dorës së pacientes dhe duke e shoqëruar me lutje. Ai tregon se sinoziti është një hije qe pengon qarkullimin e gjakut dhe se me prekjen e tij, sëmundja largohet pa u mjekuar. Bashkëpunëtorja e Fiksit i tregon se prej 7 vitesh nuk mund të bëjë fëmijë.

Mjeku pranon ta ndihmojë, merr përsipër që t’i zgjidhë problemin, por jo me mjekime popullore dhe as medikamente të tjera. Zgjidhja ishte e thjeshtë: duhet ta paguash “shëruesin” 5 mijë euro dhe pas 9 muajsh do të sillje në jetë një fëmijë, madje të përcakton edhe gjininë e fëmijës, vajzë.

Ai pretendonte se zotëronte 13 diploma dhe se bashkëpunonte me disa “shërues” të tjerë, të cilët bashkoheshin dhe luteshin në mënyrë të pandërprerë. Fiksi e pyet në fund të seancës “shëruese” se sa kushtonte, dhe ai shprehet se sa mund ta mendonte, 20 ose 10 mijë lekë të vjetra. /TCH

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re