Prej kohësh ka dalë në pension. Është marrë me ndërtim, por pensioni i tij është i vogël dhe nevoja për të punuar është e madhe. Kësisoj, për të sjellë të ardhura për familjen, Hasani del në qytete të ndryshme të Kosovës për të shitur produkte të cilat i kultivon së bashku me familjen.

Sot Hasani është 72 vjeçar dhe prej 5 vitesh del në rrugë për të shitur diçka.

“Përpara jam marrë me mjeshtëri, me mbaru shtëpiat. Që prej 5 vitesh merrem me tregti, me fasule, arra, gështenja. Me shku në shtëpi s’muj, në pension jam. Fasulja ka shumë punë, me e mbjell, prashit e bo, por ça me bo…”-thotë Hasani, në një intervistë për T7.

Si në shumë qytete, edhe këtu në Prizren Hasani zë një cep të rrugës për të shitur diçka. Shpesh herë ka hasur në probleme, por tregon se këtë punë do të vijojë ta bëjë për disa vite, derisa të ketë fuqi për të ndihmuar familjen.

“Shumë pak po sjell, se shtrenjt janë të gjitha… por s’ka ça me bo, se pensionet janë të vogla.”-thotë 72 vjeçari.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re