Gjatë ditës së sotme janë shfaqur prova të reja shqetësuese që tregojnë ushtarët australianë duke shkelur të drejtat e afganëve gjatë luftës së udhëhequr nga SHBA-të kundër terrorizmit.

Fotografitë e publikuara nga ‘Guardian Australia’ tregojnë ushtarë të lartë australianë të forcave speciale duke pirë “birrë nga këmba protezike e një ushtari të vdekur taleban”.

Ushtari në fotografi ende shërben në forcat e armatosura.

Fotografia u kap në një “lokal të paautorizuar”, i quajtur “Fat Lady’s Arms”, i cili u themelua në vitin 2009 brenda bazës së forcave speciale të Australisë në Tarin Kowt, kryeqytet i provincës afgane Uruzgan.

Zbulimi vjen pasi anëtarët e forcave speciale u përfshinë në një hetim të krimeve të luftës në Afganistan, i lëshuar muajin e kaluar nga Ministria e Mbrojtjes e Australisë.

Deri më tani, të paktën 13 ushtarë kanë marrë paralajmërime për përfundimin e kontratës së tyre. Ushtarët akuzohen se janë përfshirë në vrasjen e 39 civilëve afganë.

Në një foto tjetër, ushtarët shihet duke pozuar me këmbën protezike.

“Këmba besohet se i përket një luftëtari të dyshuar taleban, të vrarë në prill të vitit 2009 gjatë një sulmi të skuadrës ‘SARS 2’ ndaj një kompleksi tuneli në Kakarak në Uruzgan. Siç dyshohet, ajo u mor nga fusha e betejës dhe u mbajt në ‘Fat Lady’s Arms’, ku vizitorët ndonjëherë e përdornin atë për të pirë. Disa ushtarë thonë se praktika ishte toleruar gjerësisht nga oficerët e niveleve të larta dhe madje përfshiu disa prej tyre”, tha raporti.

Kërkohet drejtësi

Zbulimet, të cilat mund të kualifikohen si krime lufte, kanë shkaktuar kritika të shumta, me shumë prej tyre që kërkojnë drejtësi.

Zyrtarë nga Afganistani, Turqia dhe Kina kanë kërkuar një hetim të plotë, duke theksuar se ushtarët e akuzuar duhet të sillen para drejtësisë.

Abdul Bari Naeemi, një aktivist i të drejtave të njeriut në Afganistanin juglindor ku ishin të vendosura shumica e forcave australiane, për AA tha se pamjet do të ushqejnë edhe më shumë urrejtjen ndaj trupave të huaja në Afganistan.

“Imazhi i tyre (forcave të huaja) tashmë është dëmtuar nga zbulimet. Tani, këto imazhe që përshkruajnë një akt çnjerëzor, vetëm do të ushqejnë zemërim dhe armiqësi, si dhe do të vërtetojnë shumë raporte të mëparshme të pakonfirmuara për abuzime”, tha Naeemi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re