Skip to content

Shfaqet afta epizootike në Greqi/ Shqipëria ndalon importin e kafshëve, sëmundja nuk ka kurë

1200 630 7c5db74c89f9a7e38da65224827e01e1 sd

Shfaqja e sëmundjes së aftës epizootike në Greqi, ka bërë që Shqipëria të ndalojë importin dhe tranzitimin e kafshëve nga ky shtet.

Afta epizootike cilësohet si një nga sëmundjet më të rrezikshme të blegtorisë sepse ky virus nuk kurohet. Kafshët e infektuara asgjesohen, sepse ky infekesion përhapet në mënyrë të shpejtë tek lopët, delet, dhitë dhe derrat.

  • “Është një nga sëmundjet më të rënda që ka hasur blegtoria. Nuk mjekohet afta epizootike sepse kur bëhet kafsha me shenja klinika ka mbaruar gjithçka. E rëndësishme është të parandalohet”, u shpreh mjeku veteriner, Prof.Dr.Vangjel Ceroni.

Edhe pse afta epizootike ndodhet jashtë kufijve tanë, blegtoria shqiptare është tepër e rrezikuar, sepse infeksioni transmetohet nga njerëzit dhe kafshët.

  • “Por distanca në vendin tonë nuk është hiç gjë, sepse viruset e aftës epizootike kanë aftësi të hapen shumë shpejt në natyrë. Në zonat bregdetare ku nuk ka pengesa shpejtësia e aftës epizotike shkon 30-50 km në ditë”, u shpreh mjeku veteriner.

Afta epizotike nuk rrezikon jetën e njeriut. Nga ana tjetër për kafshët ajo është tepër agresive sepse brenda një periudhe kohe shumë të shkurtër afta epizotike ka fuqi të asgjësojë kafshët e fermës.

  • “Sekreti i kësaj sëmundje është karantimi, parandalimi vigjilenca që nis që ka fermeri e deri tek shërbimi veterinar që është në ballë të kësaj lufte”, tha Ceroni.

Me urdhër të ministrit të bujqësisë pjesë e listës së ndalimit të produkteve me origjinë shtazore bëjnë pjesë edhe produktet e mishit të pa trajtuar termikisht, qumështi jashtë standardeve të sigurisë, importi i ledhit dhe i lëkurës së kafshëve. Gjithashtu është e ndaluar tregtia e materialeve biologjike të dythundrakëve.

  • “Por afta epizotike e di ku dallohet. Dallohet sepse në të njëjtën kohë preket lopë, dhi, dele, derra, dallohet sepse nuk prek vetëm një fermë , komunë apo fshat, por ajo prek zona të tëra”, tha ai.

Kjo sëmundje për herë të parë në Shqipëri është përhapur në vitin 1996 në zonën e Korçës dhe Pogradecit, në ato vite prej aftës epizotike u asgjësuan 20 mijë krerë bagëti dy thundrakë./Top Channel