Nga Blendi Gashi

Kërkesa e Vetëvendosjes për shkarkimin e ish-deputetes së saj Aida Dërgutit nga n/kryetare Kuvendi, ka përplasur fort ish-shokët e ideait, Glauk Konjufcën dhe Dardan Molliqajn.

Aq larg shkoi përplasja sa u shoqërua me kërcënime për hapje letrash e denoncim bëmash, gjatë kohës sa rrugëtonin bashkë në Vetëvendosje.

Në këtë debat nuk u përfshi fare kryevetëvendosësi Albin Kurti, ndërsa nuk mungoi ironia nga kryekuvendari Kadri Veseli dhe buzëqeshja e deputetëve që argëtoheshin me fyerjet që dëgjonin mes ish-shokëve.

Debati filloi me arsyetimin që bëri Konjufca për shkarkimin e Dërgutit duke thënë se kjo çështje nuk ka të bëjë asgjë personale, por se Kushtetuta përcakton se tri grupet më të mëdha parlamentare nga partitë shqiptare, kanë të drejtën e postit të nënkryetarit.

Por Molliqaj nuk e pranoi këtë arsyetim

“Leni lojërat se nuk është e drejtë të anatemoni njerëz si Aida e të tjerë që i keni pasur për 12 vjet shokë, e nëse po doni të hyni në këtë lojë atëherë po iu them në Kuvend atëherë i çelim krejt, krejt letrat i çelim bashkërisht, jo më fshehtas. Thirrja ime është: kemi qenë shumë kohë bashkë, kemi bërë shumë të mira bashkë, edhe shumë të këqija bashkë, por tash jemi grupe të ndryshme politike”, tha Molliqaj.

Në reagimin e tij, Konjufca e krahasoi Molliqajn me presidentin Thaçi.

“Moti se pasna dëgjuar Hashim Thaçin t’u fol në Kuvend…. Unë mendoj që kjo foltore nuk është adekuate që njerëzit t’i shpalosin traumat e tyre prej debateve që i kanë pasur, në kuptimin që kjo e ka një dinjitet me të madh se ato komplekse t’i shpallë njeri këtu”, tha Konjufca me ç’rast shkaktoi të qeshura në seancë.

 Replikat vijuan pa sjellë asnjë rezultat. Kryeparlamentari Veseli nuk e hodhi në votim propozimin e VV-së për shkarkimin e Dërgutit, pasi në sallë nuk ishte kuorumi i mjaftueshëm.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re