Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme Ruse (SVR) ka lëshuar një deklaratë në të cilën sulmoi ashpër Serbinë dhe tha se, sipas burimeve ruse, “ushtria ukrainase është shumë mirënjohëse ndaj prodhuesve serbë të armëve dhe municioneve për kontributin e tyre në ruajtjen e aftësisë luftarake të Forcave të Armatosura të Ukrainës”.

Sipas SVR, pavarësisht presionit në rritje të Moskës ndaj Beogradit, industria ushtarake serbe po rrit eksportet e saj të produkteve ushtarake në zonën e konfliktit. Në shumë mënyra, kjo është bërë e mundur falë përdorimit të skemave indirekte të furnizimit.

“Municionet e prodhuara në fabrikat serbe, kryesisht për sisteme të rënda me rreze të gjatë veprimi, po dërgohen në vendet e NATO-s në formën e kompleteve të plota të pjesëve për montim“, pohon inteligjenca ruse. Kjo i lejon Kievit të marrë zyrtarisht produkte ushtarake që nuk janë serbe, por janë montuar në fabrikat perëndimore të armëve.

Montimi dhe ngarkimi i municioneve, theksojnë ata, kryhet kryesisht në Republikën Çeke dhe Bullgari: “Në të njëjtën kohë, prodhuesit në Serbi janë të vetëdijshëm për konsumatorët e vërtetë të produkteve të tyre dhe faktin se raketat dhe predhat e tyre do të vrasin ushtarë rusë dhe banorë të vendbanimeve ruse.”

Si shembull, bie në sy fabrika Krušík nga Valjevo, e cila dyshohet se kohët e fundit i ka shitur kompanisë çeke Poličske Stroirni disa grupe të mëdha kompletesh për montimin e raketave 122 mm për MLRS Grad. Gjithashtu, kompania Eling nga Loznica i ka dërguar, theksojnë ata, komplete për prodhimin e të njëjtave raketa, si dhe mina të kalibrit 120 mm, kompanisë bullgare EMKO.

“Për shekuj me radhë, një besim i përbashkët i bashkoi popujt serb dhe rus dhe i rriti ata për të luftuar së bashku kundër armiqve tanë. Është e trishtueshme që tani ato tradita miqësie dhe ndihme të ndërsjellë po zhduken nga etja për fitim dhe multivektorizmi frikacak”, thuhet në përfundim. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko