INSTAT ka publikuar së fundmi treguesit demografikë të vendit për tremujorin e parë të 2022. Shifrat tregojnë një panoramë dekurajuese, pasi popullsia vijon në trendin rënës.

Gjate periudhës janar- mars 2022, INSTAT tregon se numri i lindjeve ka shënuar një rënie prej 4.2% krahasuar me një vit më parë, kohë kur Shqipëria njëlloj si gjithë globi, ndodhej përballë pandemisë. Vdekjet kanë pësuar një ulje të ndjeshme përgjatë këtij tremujori (22.3% krahasuar me të njëjtën periudhë në 2021), por sërish mbeten më të larta se lindjet.

Sipas shifrave të INSTAT në Shqipëri përgjatë tremujorit të parë ka patur 1882 vdekje më shumë sesa lindje.

“Në tremujorin e parë 2022, qarku me shtesën natyrore më të lartë është Tirana, me 203 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 379 vdekje më shumë se sa lindje.”-shpjegoi INSTAT.

Vetëm 4 qarqe shënojnë rritje të numrit të lindjeve krahasuar me kohën e pandemisë (2021), ndërsa 8 të tjera ulje.

“Në tremujorin e parë 2022, qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 2.194 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 106 lindje. Rritjen më të lartë në përqindje të lindjeve gjatë tremujorit të parë 2022 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 e zë qarku i Vlorës me 7,9 %, ndërsa rënien më të madhe e ka qarku i Dibrës me 22,0 %.”-shpjegon INSTAT.

Përsa i përket humbjes së jetëve, qarku me numrin më të lartë është Tirana, ndërsa më i ulëti Kukësi.

“Uljen më të madhe në përqindje të vdekjeve gjatë tremujorit të parë 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, e zë qarku i Vlorës me rënie prej 30,1 %.”-njofton INSTAT.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re