Skip to content

Shifra shqetësuese:“Mbi 800 xhami të sulmuara në Gjermani që nga viti 2014”

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Sipas Brandeilig, një nismë e grupit të të drejtave FAIR International, më shumë se 800 xhami në Gjermani kanë qenë objektiva të kërcënimeve dhe sulmeve që nga viti 2014, por në shumicën e rasteve krimet nuk janë hetuar siç duhet.

Grupi, i cili ka themeluar qendrën e parë të raportimit në Gjermani për sulmet ndaj xhamive, regjistroi rreth 840 incidente sulmesh, vandalizmi dhe kërcënimesh midis viteve 2014 dhe 2022.

Një analizë e detajuar e krimeve në vitin 2018 zbuloi se autorët mbetën të paidentifikuar në shumicën e sulmeve, duke nxitur sulme të mëtejshme kundër objekteve muslimane të adhurimit nga neo-nazistët ose ekstremistët e majtë.

“Në përgjithësi, shkalla e zbardhjes së ngjarjeve për sulmet në xhami mund të konsiderohet shumë e ulët,” tha grupi në një raport të fundit.

Ndër 120 sulmet e regjistruara kundër xhamive në vitin 2018, vetëm në nëntë raste mund të identifikoheshin autorët.

“Kjo normë është shkak për shqetësim”, theksuan ekspertët e Brandeilig, duke vënë në dukje se në të paktën 20 raste, të cilat përfshinin sulme me zjarrvënie, të dyshuarit synonin të shkaktonin vdekje ose dëmtime të mëdha trupore.

“Në përgjithësi, efektivët e policisë kanë mbërritur shumë shpejt në vendngjarje dhe kanë nisur menjëherë hetimet. Sidoqoftë, pothuajse asnjë nga incidentet nuk mund të zgjidhej deri më sot”, thanë ekspertët.

Sipas raportit, ekstremistët e majtë dhe pasuesit e grupit terrorist YPG/PKK ishin pas disa sulmeve që synonin xhamitë, ndërsa shumica e tyre u kryen nga ekstremistë të krahut të djathtë ose grupe neo-naziste.

Gjermania, një vend me mbi 83 milionë banorë, ka popullsinë e dytë më të madhe muslimane në Evropën Perëndimore pas Francës. Në mesin e afro 5,3 milionë muslimanëve të vendit, 3 milionë janë me origjinë turke.
Burimi: AA

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë