Kryetari i PD-së, Lulzim Basha fitoi një mandat të tretë në krye të partisë.

Kryetari i Komisionit Zgjedhor, Jemin Gjana, shpalli zyrtarisht fituesin, edhe pse 24 orë më parë, të dielën në mbrëmje, PD përcolli rezultatet paraprake.

Në përfundim të numërimit nuk pati surpriza.

Kundërshtari më i fortë i Lulzim Bashës në këtë garë, Agron Shehaj mori 6038 vota.

Katër vjet më parë, kandidati i vetëm përballë Bashës, Eduard Selami mori 5132 vota

Në tre garat për kryetar, kandidati që ka marrë më shumë vota përballë Bashës vijon të mbetet ish-deputeti i ndjerë, Sokol Olldashi, (8060 vota) i cili një ditë para votimit, (në 2013), e parashikoi rezultatin që do të dilte ende pa votuar; 80% me 20%.

Basha nuk i ndahet kësaj përqindje apo edhe më shumë.

 

Në 2017 mori 91% të votave përballë Selamit.

Në zgjedhjet e 2021 ai mori rreth 80% të votave të anëtarëve që e votuan

Ajo që vlen të theksohet në këto votime nuk është përqindja e fituar përballë kundërshtarit, ku askush nuk po vë më bast politik, por numri i anëtarësisë që prej vitit 2013 ka ardhur duke u ulur ndjeshëm për PD-në.

Nëse do t’i referohemi zgjedhjeve të 2013, lista e anëtarësisë së PD-së përfshinte 120.000 anëtarë.

Në zgjedhjet e 2013 në garën mes Lulzim Bashës dhe Sokol Olldashit  numri i anëtarëve që votuan ishte  41 532 ndërsa fletë votimi të papërdorura ishin 78 468.

Kalojmë katër vite më pas, në zgjedhjet e 2017-ës.

Kryetari i komisionit Zgjedhor, Jemin Gjana raportoi me zë e figurë se lista e anëtarësisë ishte 103.952 anëtarë, nga të cilët morën pjesë 59.834 anëtarë me të drejtë vote, ose 57.5 % e të gjithë anëtarësisë.

Në zgjedhjet e fundit 2021 lista e anëtarësisë shfaqet akoma dhe më tkurrur. Nga 75.067 anëtarë të raportuar nga Jemin Gjana në garën për kryetar mes katër kandidatëve morën pjesë  41.097 anëtarë.

Pas fitores, Basha ka reaguar për herë të parë, pas rizgjedhjes si kryetar i PD. Në një postim në rrjetet sociale, ai ka falënderuar të gjithë demokratët për mbështetjen e jazhtëzakonshme.

“Faleminderit për mbështetjen e jashtëzakonshme! Ajo është një shprehje e qartë e besimit në rrugën tonë drejt ndryshimit. Sëbashku do bëjmë gjithçka që Shqipëria të fitojë”, – shkruan kryedemokrati.(si)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re