Avokatja Brunilda Lika, e ftuar në emisionin “7pa5”, shpjegoi qasjen ligjore me fenomene të martesave me vajza nën moshën 18 vjeç. Ndonëse ligji shprehet i qartë se mosha ligjore për të lidhur kurorë është 18 vjeç, avokatja tregon se jo rrallë herë prindërit iu drejtohen gjykatave për të kërkuar leje martesore për vajzat e mitura.

“Ligji shqiptar e ka parashikuar që mbi moshën 18 lejohen martesat, në rastin konkrekt nuk është një martesë ligjore, është një festë familjare. Ka raste kur për vajzat, në vendin tonë ndodh që vetëm për vajzat, të kërkojnë leje për martesë në gjykatë edhe nën moshën 18. Më ka ndodhur, kam dëgjuar nga praktika që edhe 16-17 vjeç iu janë drejtuar autoriteteve kompetente, pra Gjykatës së rrethit të vendbanimit për të kërkuar leje për martesë”, tha ajo.

Sipas saj, motivet më të shpeshta që prindërit zgjedhin t’i drejtohen organeve për të legjitimuar martesën e vajzave të mitura ndodh për shkak të shtatëzanive në moshë të hershme.

“Kryesisht arsyet janë kur vjen në jetë një fëmijë, kanë një shtatëzani apo duan të largohen jashtë vendit”, tha ajo.“Është bërë një studim që nga viti 2011 deri në vitin 2017 përpara gjykata janë depozituar 68 kërkesa për leje martese, pra është një shifër alarmante edhe pse për disa vite. Nëse ne duam të jemi në standardet e një vendi europian duhet që edhe leja për martesë të hiqet”, nënvizoi ajo.

Lidhur me rastin e 14-vjeçares që u martua me 34-vjeçarin, avokatja nënvizon se në fakt dasma mund të konsiderohet vetëm një festë familjare, por jo legjitime.

Ajo theksoi se prindërit janë përpjekur të ndalojnë këtë martesë, ndërsa 34-vjeçari ka konsumuar vepër penale duke marrë përsipër këtë ‘martesë’.

“Kanë bërë kallëzime kanë insistuar që vajza të kthehen në familje, një i mitur është i mitur dhe nuk ka mundësi për të vepruar ligjërisht, ndaj edhe ka kujdestarë ligjorë ose ndaj edhe janë prindërit që përgjigjen ligjërisht”, tha ajo. “Nuk di detaje se si ka ikur ka rrjedhur e gjithë ngjarja, hidhen hipoteza se vajza ka përjetuar dhunë, pra kush kanë qenë arsyet që vajza e ka parë si shpëtim largimin nga familja e origjinës, por pa marrë parasysh se ai po konsumon një vepër penale, prindërit ndërkohë kanë bërë insistimin e tyre”, shtoi ajo.//

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re