Japonia hyri në fundjavë me shumë më tepër pyetje sesa përgjigje pasi ish-kryeministri Shinzo Abe u vra të premten.

Një nga pyetjet që bëjnë analistët është se si do të ndikojë krimi në zgjedhjet e së dielës (10 korrik) kur qytetarët zgjedhin Dhomën e Lartë të Parlamentit.

Por në Japoni, ku armët janë rrallë në pronësi të qytetarëve dhe të shtënat janë pothuajse inekzistente, të gjithë pyesin se si dhe pse vrasësi e ka blerë ose, me sa duket, ka bërë një armë zjarri? Dhe sa lehtësisht iu afrua Abe-s sa për ta vrarë?

“Është ende e vështirë për mua të kuptoj se çfarë ndodhi, por veçanërisht se si ndodhi”, thotë Noriko Hama, një analist dhe profesor i ekonomisë në Universitetin e Kiotos, shkruan Detusche Welle.

“Është e qartë se ka shumë pakënaqësi në mesin e japonezëve për gjendjen e shoqërisë dhe zemërimi është drejtuar ndaj politikanëve. Unë mendoj se kjo është për shkak se ata duken shumë të largët nga shqetësimet dhe nevojat e njerëzve të zakonshëm”, thotë Hama. “Por ky lloj sulmi ishte i paimagjinueshëm.”

Japonia ka disa nga ligjet më të rrepta të armëve në botë. Sipas të dhënave zyrtare të policisë, vitin e kaluar ka pasur vetëm dhjetë incidente me armë zjarri në të gjithë vendin, dhe klani mafioz Yakuza ishte përgjegjës për tetë prej tyre. Katër persona u plagosën dhe një u vra.

Vitin e kaluar, policia konfiskoi 295 armë, më pak se mesatarja prej rreth 350.

Ligji është i qartë dhe daton që nga viti 1958: “Askush nuk mund të zotërojë një armë zjarri ose një shpatë”. Në fillim të këtij viti, lista u zgjerua për të përfshirë harqet.

Kushdo që dëshiron ende një armë – për shembull për sport ose gjueti – duhet të kalojë një procedurë rigoroze me regjistrimin në një klub qitjeje, leksione, një provim, një vlerësim psikologjik, një intervistë me policinë, një kontroll të historisë personale dhe marrjen në pyetje të familjes dhe miqve.

Gjuetarët zakonisht janë të licencuar për pushkë me dy tyta në rajone ku kafshët e egra – kryesisht derri i egër, dreri dhe majmunët – kërcënojnë të korrat.

Arrestimi i Tetsuya Yamagami, 41 vjeç, njeriu që qëlloi Abe-n, tregon se ka mënyra për të anashkaluar ligjin. Yamagami besohet se e ka bërë vetë armën rudimentare, ndërsa në shtëpinë e tij janë gjetur armë të tjera si dhe eksplozivë.

Diçka po ndryshon në shoqëri

Një ish politikan japonez thotë se gjatë karrierës së tij shpesh ndihej i “kërcënuar” dhe nuk dëshiron që emri i tij të publikohet. Ai mendon se diçka po ndryshon si në Japoni ashtu edhe në botë në përgjithësi. “Ne shohim kaq shumë dhunë në Ukrainë, apo Shtetet e Bashkuara, dhe duket se dhe në Japoni ka gjithnjë e më shumë njerëz që duan armë”.

“Interneti ka bërë gjithçka më të lehtë. Nëse armët nuk mund të merren, ka teknologji të tilla si printerët 3D që mund të përdoren për të bërë armë ose bomba,” shton ai.

Shtrohet pyetja edhe pse sigurimi nuk ka reaguar më shpejt gjatë fjalimit të Abe-s në qytetin Nara, kur atentatori iu afrua nga pas? Për këtë kanë nisur hetimet si policia kombëtare ashtu edhe ajo lokale, por nuk ka asnjë koment zyrtar.

Tsunehiko Maeda, ish-kryeprokurori i Divizionit të Hetimeve Speciale në Tokio, shkroi në një artikull se kishte frikë nga një valë sulmesh që do të imitonin atë ndaj Abe-s, duke pasur parasysh dobësitë e dukshme në siguri.

“Ekziston gjithmonë rreziku i imitimit të dhunës politike,” thotë Lef-Erik Izli, profesor i studimeve ndërkombëtare në Seul.

“Lufta, tronditja energjetike, inflacioni dhe ndarjet sociale po na kujtojnë tashmë disa dekada më parë. Një vrasje e tillë e spikatur lidhet me perceptimet më të thella globale se politika në shumë pjesë të botës po regresohet,” shton ai.

Vrasësi i Abe-s, i cili ishte ushtar në marinën japoneze deri në vitin 2005, sipas raportimeve të mediave, pranoi krimin, duke thënë se ishte i zemëruar me Abe-n dhe donte ta vriste. Por mesa duket jo për shkak të politikës.

“I dyshuari deklaroi se ishte xheloz për një organizatë dhe se e kreu krimin sepse besonte se ish-kryeministri Abe kishte lidhje me atë organizatë”, tha një zyrtar i lartë i policisë. Prandaj, motivet mbeten të paqarta. /tesheshi.com/ 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re