Ziada Çobo, nëna e 15-vjeçarit të dhunuar disa javë më parë në kryeqytet, videoja e së cilit bëri xhiron e mediave për shkak se policët e shtrinë në bulevard e i vendosën kokën në asfalt, ka paditur sot Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliun.

Padia, e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala është ngritur për cënimin e imazhit të saj.

Kujtojmë se pak ditë më parë, vetë Veliu nxori videon e gruas që mbante një pistoletë në dorë, duke i kërkuar opinionit të gjykonin djalin e dhunuar, duke u nisur nga familja që kishte.

Por pak më vonë, rezultoi se Ziada Çobo ishte aktore dhe se pistoletën e kish mbajtur gjatë një roli.

Aktorja kërkon tashmë si dëmshpërblim një milion lekë (të reja).

DEKLARATA E ARDI VELIUT

Gjatë raportimit në mbledhjen online të Komisionit të Sigurisë, Veliu tregoi një video, të zonjës Zaida Çobo, e ëma e 15-vjeçarit të dhunuar, e cila mbante një pistoletë në dorë.

“Jo se dua të marr në mbrojtje punonjësit e policisë.

Punonjësit e policisë në një rast të caktuar kanë një kapërcim të kompetencës dhe punonjësi i policisë i cili ka konsumuar këtë veprim është pezulluar, ka filluar hetimi disiplinor, njëkohësisht ka filluar dhe një hetim penal nga SHÇBA.

Por më besoni, në qoftë se do ta shikojmë nga fillimi në fund çfarë përfaqëson ky djali, a është me të vërtetë ky djali që i është bindur të gjitha veprimeve, thirrjeve të policisë siç pretendon mamaja e tij, e cila ishte ndier shumë e fyer.

Do t’ju shfaq një video të mamasë së tij, se kush është mamaja e tij dhe të besoni se nga çfarë familje vjen ky fëmija dhe pastaj të gjykoni vetë.

Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë.

Ju a tregova këtë videon për të thënë se nga çfarë familje vjen ky fëmijë, sa i edukuar është, sa i është bindur thirrjeve të policisë dhe tek e fundit policia si gjithmonë bëhet viktimë”, tha Veliu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re