Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i një hetimi të kryer për 6 muaj, në koordinim me Prokurorinë e Beratit, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë kriminale të disa shtetasve, të cilët në mënyrë të organizuar, shitnin droga të forta, në doza, në Berat, finalizuan operacionin e koduar “Prova”.

Në kuadër të këtij operacioni, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, u ekzekutuan në bashkëpunim me forcat e posaçme Operacionale dhe “Shqiponja”:

-masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit S. S., 46 vjeç, A. A., 30 vjeç dhe T. B., 38 vjeç;
-masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasin K. S., 18 vjeç, të gjithë banues në lagjen “Çlirim”.

Gjatë periudhës hetimore janë siguruar prova se 4 shtetasit siguronin dhe shitnin në doza, lëndë narkotike (kryesisht Kokainë), në lagje të ndryshme të qytetit.
Nga kontrollet e kryera në banesat e tyre, si dhe në automjetin e 46-vjeçarit, u gjet sasi lënde narkotike Kokainë e ndarë në dhjetëra doza të gatshme për shitje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re