Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Himarës pasi akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Sipas policisë në kuadër të dy operacioneve të koduara “Dhërmiu” dhe “Potami” është bërë i mundur ndalimi i dy shtetasve 47 dhe 28 vjeç, njëri nga të cilët ishte me precedent të theksuar kriminal, në disa fusha.

Të dy këta shtetas akuzohen se shisnin lëndë narkotike pushuesve në plazhe.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Dhërmiu”, u arrestua në flagrancë 47 vjeçari, banues në Tiranë, (shtetas me precedentë të shumtë kriminal, për vepra penale si “Dhuna në familje”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Falsifikimi i monedhave”). Ky shtetas kishte përshtatur në bagazhin e automjetit me të cilin udhëtonte, një vend për fshehjen e lëndës narkotike. Gjatë kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 50 doza të dyshuara të lëndës narkotike kokainë, të cilat nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, dyshohet se 47-vjeçari do t’i shiste në lokale nate, në Drimadhe, Dhërmi dhe Himarë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu është arrestuar një 28 vjeçar I cili është kapur me doza të dyshuara të lëndës narkotike kokainë, nje peshore elektronike dhe vlera monetare të dyshuara të përfituara nga shitja e dozave në lokale në këtë plazh.

Ndërkohë policia ka sekuestruar dhjetëra doza të lëndës narkotike kokainë, peshore elektronike dhe shuma parash të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re