Skip to content

Shiste kokainë pranë shkollave, arrestohet 34-vjeçari në Tiranë! Sekuestrohet edhe makina

Tirane1 1

Një 34-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se shpërndante lëndë narkotike në afërsi të shkollave dhe ambienteve të frekuentuara nga të rinjtë në Kamëz dhe Fushë-Krujë.

Policia bën me dije se arrestimi i tij u krye në kuadër të operacionit të koduar “Shkolla të Pastra”, i zhvilluar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve.

Gjatë kontrollit në automjetin tip “Toyota Yaris”, të cilin 34-vjeçari e drejtonte në bulevardin “Nënë Tereza”, u gjetën dhe u sekuestruan 505.6 gramë kokainë. Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij u zbuluan edhe 397 gramë të tjera të së njëjtës lëndë narkotike.

Në total, autoritetet sekuestruan mbi 900 gramë kokainë, automjetin dhe një telefon celular.

Sipas hetimeve paraprake, lënda narkotike dyshohet se ishte siguruar me qëllim shitjen pranë shkollave dhe ambienteve të tjera që frekuentohen nga të rinjtë në zonat e Kamzës dhe Fushë-Krujës.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.