Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi u shpreh se insitucioni që ai drejton nuk mund të bëjë asgjë sa i takon fenomenit të shitblerjes së votave.

Celibashi u shpreh se kushdo që ka prova që mund të faktojnë shitblerjen e votave, duhet ti drejtohen Prokurorisë.

“Nëse ka shitblerje KQZ nuk ka asgjë për të bërë, në rastin kur këto shkelje pretendohen që ka ndodhur, duhet ti adresosh pranë organeve të prokurorisë.

Nëse ke prova duhet të qasesh drejt oprganeve të drejtësisë, do të duhet të kuptojmë se kush bën çfarë në lidhje me procesin zgjedhor.

Ajo që ka tagër të bëjë KQZ është fushatat informuese. Ka një mori institucionesh që duhet të angazhohen te kjo çështje, nëse koha ecën, rekomandimet e OSBE ODHIR nuk do të adresohen, gjithçka do të mbyllet me një marrëveshje”, tha Celibashi.

Celibashi u shpreh se pavarësisht kohës që po ecën, partitë politike ende nuk kanë bërë asnjë refelektim.

Kreu i KQZ tha se sa më shumë koha kalon, aq më shumë do të vështirësohet përgatitja e zgjedhjeve të ardhshme, që janë pas rreth një viti për pushtetin vendor.

“Nuk prisnim ndonjë përgjigje nga Partitë Politike për Reformën Zgjedhore, pavarësisht thirrjeve që ne kemi bërë. Nuk kemi parë deri tani asnjë reflektim prej tyre.

Sa më shumë ditë kalojnë aq më shumë do të ketë përkeqësim të situatës. Nuk marr përsipër që të bëj gjykatësin e tyre. Procesi do të ishte mirë që të fillonte sa më shpejt që është e mundur“, tha Celibashi.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re