Ambasadorja Amerikane në Tiranë, Yuri Kim, u përcolli dje një mesazh të qartë institucioneve ligjzbatuese, që të ndëshkojnë të gjitha subjektet politike që do të blejnë votat e qytetarëve në zgjedhjet vendore të 14 majit.

yuri kim

Pak ditë nga zgjedhjet lokale të 14 Majit, ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, i kërkoi partive politike, të veprojnë në rast se dikush pretendon se po blen vota për të. Në një reagim për mediat, Kim kërkoi që policia dhe prokuroria të hetojnë rastet.

“Të gjithë që kanë të drejtë për të votuar duhet të votojnë, kemi parë gjithashtu raportime për blerje votash dhe për shitje votash. Shpresojmë gjithashtu që autoritetet ligjzbatuese do të bëjnë detyrën e tyre dhe nëse dikush thotë që është duke blerë vota për një parti politike, kjo parti politike duhet të ndërmarri veprime”, deklaroi ambasadorja e SHBA Yuri Kim.

Të dhënat zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, tregojnë se deri më tani, për krime zgjedhore është regjistruar vetëm një procedim penal në Elbasan, për pengim i zgjedhësit dhe marrja ose përdorimi i kartave të identitetit. Deklarata e ambasadores erdhi pas disa raportimeve për shitblerje të votave, ku episodi i fundit ishte ai për Kuçovën.

Apeli i diplomatëve vjen në kohën kur fushata zgjedhore po shkon drejt fundit dhe në përgjithësi është shoqëruar me incidente të vogla, dhe denoncime kryesisht nga kampi opozitar.

Përfaqësues dhe kandidatë të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, por jo vetëm, kanë tërhequr vëmendjen për kërcënime e shantazhe, si dhe përpjekje për tjetërsim të vullnetit politik. Nuk kanë munguar as denoncimet për akte dhune.

Ndërkohë, dje një person ra në pranga dhe një tjetër u vu në hetim si të përfshirë në korrupsion zgjedhor dhe hetimet do të ndiqen nga SPAK. Ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith, është shprehur se këto zgjedhje lokale kanë një rëndësi shumë të madhe, pasi sipas tij, kemi kohë që në Shqipëri nuk po testohen zgjedhjet vendore.

Komentet Smith në emisionin ‘Open” në News24, ku foli për zgjedhjet e 14 majit në vendin tonë. Smith tha gjithashtu se mes kandidatëve të partive të ketë debat, pasi kjo vlen shumë dhe u tregon qytetarëve më tepër për programin e tyre. Ai theksoi edhe domosdoshmërinë që qytetarët të mos kenë presion dhe të votojnë të lirë.

“Mendoj se këto zgjedhje kanë rëndësi shumë të madhe sepse kemi kohë që nuk po testojmë zgjedhjet vendore. Do të ketë edhe zgjedhje kombëtare pas dy vitesh, dhe shohim që këto zgjedhje janë të rëndësishme në kuadër të procesit demokratik. Shohim përparim sa i përket cilësisë së zgjedhjeve, si sillen partitë politike. Por duhet të ketë më tepër fokus që njerëzit të ndjejnë se mund të votojnë të lirë. Besoj se në çdo vend demokratik, është me rëndësi përqendrimi tek politika dhe se çfarë do t’i japë politika njerëzve. Duhet të kemi kandidatë të pastër, të pa korruptuar dhe pa kriminalitet. Kemi parë progres, por duhet të bëhet më shumë në mënyrë që fushata të jenë të hapura dhe të pasqyrojnë interesat”, tha ambasadori britanik.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re