Kryesuesja e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve, Ursula Gacek, në një intervistë në “Absolut 4” në A2, u pyet edhe për fenomenin e shitblerjes së votës, i cili konsiderohej nga OSBE si një prej çështjeve që duhen zgjidhur me urgjencë.

Gacek u shpreh se fenomeni i tillë ndodh kryesisht në zonat rurale dhe faktimi i tij është ende problem, kjo edhe pse misioni do të ketë një numër të kufizuar vëzhguesish për shkak të pandemisë.

“Ju tregova pak se si ky mision është ndryshe nga ç’prisnim, ndryshe nga ç’kemi pasur vitet e shkuara. Por ne sapo e nisëm fushatën. Nisi të enjten dhe të premten.

Dhe ne kemi qenë këtu që përpara se të fillonte fushata zyrtarisht. Dikush mund të pyesë se ç’bëjnë në vend pesë javë para zgjedhjeve?

Pikërisht që të ndjekim disa prej këtyre çështjeve. Shqipëria nuk është e vetmja që i ka. Si po përdoren burimet shtetërore, është diçka që e përdorim në çdo vend.

Është i njëjti standard, e njëjta metodologji. Sigurisht, disa probleme bien më shumë në sy në disa vende se të tjerat. Prandaj kemi raportin e vlerësimit të nevojave. Ai përqendrohet në këto fusha që janë veçanërisht problematike, siç kemi parë në të shkuarën. Por nuk paragjykojmë. S’e dimë ç’do të shohim këtë herë.

Praktika si blerja e votës janë më të vështirat për t’u identifikuar. Sepse janë veprimtari kriminale. Sigurisht, nuk na sjell njeri prova të verifikueshme.

Por do të kemi sy dhe veshë në qarqe. Është shumë e rëndësishme për vëzhguesit afatgjatë që të vendosen larg qendrave të mëdha urbane. Duam të jemi në zonat e vogla rurale, në fshatra e periferi.

Këta vëzhgues kanë shumë përvojë. E kuptojnë qartë kur praktikat nuk përputhen me standardet ndërkombëtare”, u shpreh Gacek.