BERAT

6-ish-punonjës të administratës së Kombinatit Mekanik në Poliçan (Uzinës së Armëve), mes tyre edhe drejtori i këtij Kombinati Erjon Zylyftari, aktualisht kreu i PS Poliçan, janë nën hetim nga Prokuroria e Rrethit të Beratit.

Çështja penale në ngarkim të tyre, me numër 468,është regjistruar pranë këtij institucioni në vitin 2022 dhe këta shtetas akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal.

Burimet zyrtare të Prokurorisë së Beratit konfirmojnë se për shkak të sekretit hetimor dhe sensitivitetit të ngjarjes, në këtë fazë të hetimit nuk mund të jepet informacion në lidhje me personat nën hetim. Kjo çështje ka mbërritur në Prokurorinë e Beratit pas hetimeve të kryera nga Sektori i Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat.

Mësohet se ka qenë Sektori i Krimit Ekonomik ai që ka nisur një hetim të thelluar në lidhje me zhdukjen e rreth 50 ton lënde të parë “tunxh” nga Kombinati Mekanik i Poliçanit. Drejtori i Kombinatit Mekanik Poliçan, Shefja e Financës, Sekretarja, Dispeçeri dhe dy magazinierët akuzohen se e kanë shitur lëndën e parë, duke përfituar shuma të mëdha lekësh.

Shitja e shpejtë e rreth 50 ton tunxh,dyshohet se është kryer nëpërmjet uljes së çmimit real të vlerës së tij.Nga hetimet e kryera nga Inspektorët e Krimit Ekonomik në DVP Berat dyshohet se vjedhja dhe shitja e lëndës së parë të Kombinatit Mekanik në Poliçan është kryer gjatë viteve 2017-2020 dhe paratë e shitjes i kanë përfituar punonjësit e administratës.

E gjithë kjo vjedhje është vënë re pas mbylljes së Kombinatit në 31.12.2020 dhe menjëherë ka nisur edhe hetimi mbi zhdukjen e të gjithë lëndës së parë të Kombinatit,që nga ana e ish/drejtuesve të administratës së tij pretendohet se është vjedhur pa dijeninë e tyre.

Kombinati Mekanik në Poliçan është mbyllur në 31.12.2020 dhe 130 punonjës të tij nuk kanë marrë ende edhe sot pagat e punës së kryer për periudhën 2016-2020,me pretendimin se nuk ka pasur asnjë shitje. Ata shpeshherë kanë protestuar në dyert e këtij Kombinati dhe prej vitesh janë duke  u dergjur në dyert e Gjykatave për t’i përfituar këto para. Kombinati ka funksionuar me vetëfinancim dhe varej drejtpërdrejt nga Ministria e Mbrojtjes.


Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re