Televizioni ABC News, një nga mediat kryesore të cilat japin lajme në
kohë reale dhe nga terreni. Një nga televizionet më të veçanta të
medias shqiptare në vitet e fundit, tashmë do të ketë një pronar të ri.
Mësohet se Aleksandër Frangaj, i cili është themeluesi dhe njeriu që
ideoi dhe ndërtoi ABC News, tashmë e ka shitur atë tek një kompani shumë
prestigjoze. Megjithëse jo në fushën e mediave, por në fushën e
mjekësisë.
Spitali Amerikan do të jetë pronari i ABC News, apo le të themi zotëruesi kryesor i aksioneve.
Një aktivitet i ndërtuar si Spitali Amerikan me mjaft forcë dhe
seriozitet, i administruar nga Klodian Allajbeu, tashmë do të ketë në
pronësi edhe një media, e cila përtej profilit të saj të transmetimit të
lajmeve live në kohë reale, pritet të ketë edhe një ndryshim mjaft të
madh duke tentuar të kthehet në një nga mediat kryesore në Shqipëri.
Mësohet se negociatat mes Allajbeut nuk është e re. Për një shitje të
aksioneve të këtij televizioni është folur edhe disa vite më parë, por
më pas gjithçka u la në heshtje. Ndërsa së fundi mësohet se palët kanë
rënë dakort dhe shumë shpejt Spitali Amerikan do të jetë pronari dhe
administratori i një prej televizioneve më të rëndësishme të lajmeve në
Shqipëri.
