Pavarësisht se bashkë me çmimet e apartamenteve gjatë vitit të shkuar u shtrenjtuan ndjeshëm edhe normat e interesit për kreditë, kjo nuk i ka penguar qytetarët të drejtohen në banka për të marrë hua për të blerë shtëpi.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, në vitin 2022 kredia për banesa për individë u rrit me 17% krahasuar me 2021, duke u bërë një nga segmentët që ka performuar më mirë në vitin që lamë pas. Fluksi më i lartë i blerjeve ishte i përqendruar në Tiranë.

 

LEFTER SILA

 

AGJENT IMOBILIAR

 

“Më potencialët këto kohë për të bërë blerje në Tiranë kanë qenë ata që kanë biznese në kryeqytet që kanë të ardhura të konsiderueshme, ka akoma që vijnë nga rrethet dhe këta përbëjnë një sasi të madhe blerësish. Ka edhe të huaj, por të huajt i ndajmë në dy kategori, emigrantët që kanë jetuar jashtë dhe vijnë investojnë një sasi parash këtu dhe kategoria tjetër e të huajve që vijnë të blejnë sepse e shohin Tiranën si kryeqytet me perspektivë.”

 

Agjentët mendojnë se edhe gjatë këtij viti kërkesa për të bërë blerje në tregun e pasurisë së patundshme nuk do të shënojë rënie, ndikuar edhe nga një stabilizim i mundshëm i çmimeve.

 

LEFTER SILA

 

AGJENT IMOBILIAR

 

“Duhet parë sesi do të shkojë situata botërore, por për mendimin tim, çmimet këtë vit nuk do të pësojnë as ulje, as ngritje në krahasim me vitin 2022. Parimi i tregut është që nëse do të ketë më shumë ofertë sesa kërkesë, patjetër që do të ketë edhe rënie të çmimeve.”

 

Çmimet më të favorshme për një apartament blerësit vijojnë t’i gjejnë në zonat periferike të Tiranës, si “Astiri” apo “Fusha e Aviacionit” ku metri katror për ndërtimet e reja shkon deri në 1200 euro. Ndërsa në zonat e luksit, ku renditen “ish-Blloku” qendra e kryeqytetit apo Komuna e Parisit, çmimet variojnë deri në 4.000 euro metri katror.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re