Pushimet nga puna për shkak të bindjeve politike mund të marrin faturë të kripur në gjykatë. Një gjyqtar nga Fieri  ka dhënë dëmshpërblim 493 milionë lekë një ish-drejtori në administratën e Albpetrol. Në debatin për vendimin është përfshirë edhe PS-ja.

Qytetari Marjus Isufaj, ish-drejtor në Qëndrën e Furnizimit dhe Shërbimeve Elektrike Patos, e cila varet nga shoqëria tregtare “Albpetrol”, është dëmshpërblyer nga me vendimin e datës 19 tetor 2020, nga gjyqtari Ergys Selmani.  Gjyqtari pasi u bind se Isufaj është shkarkuar nga puna për motive politike, ka dhënë verdiktin kundër Albeptrolit. Isufaj është anëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Procesi

Marjus Isufaj, në datën 5 mars 2020, i është drejtuar gjykatës së Fierit duke kërkuar dëmshpërblim financiar për shkak se ishte diskriminuar për bindjet politike. Në këtë padi civile, Marjus Isufaj, i është bashkuar gruaja e tij, dy prindërit, si dhe 5 fëmijët e tij. Të gjithë në padinë e tyre kanë pretenduar se ishin ndjerë të diskriminuar, pasi babai i tyre ishte larguar nga puna pa të drejtë dhe për pasojë kishin pasur depresion gjatë kësaj periudhe.

Sipas gjykatës së Fierit, rezulton se përplasja me drejtuesit e Albpetrol erdhi pas zgjedhjeve të 25 Qershor 2017. Sipas gjykatës, “Albpetrol”,  kishte shkelur trajtimin e barabarate të punëtorëve në lidhje me përzgjedhjen dhe mbajtjen në detyrë të tyre.

Marjus Isufaj vërtetoi me raport mjekësor çrregullimet  shëndetësore që i kishte shkaktuar pushimi nga puna. Në 19 tetor 2020, gjyqtari Ergys Selmani, vendosi të dëmshpërblejë finaciarisht Marjus Isufaj në shifrën prej 493 milion lekë të vjetra, shifër kjo që nëse do lihet në fuqi dhe në Apelin e Vlorës, duhet të paguhet nga buxheti i kompanisë “Albpetrol”.

Reagon PS-ja

Lufta politike vazhdon ndërkohë, edhe pas gjyqit. Kryetari PS-së së Fierit dhe zëvendësministër i Mbrojtjes, Petro Koçi, ka sulmuar Isufaj, duke i kujtuar se ka një kushëri të dënuar, që sipas tij, duhet të t’i ketë bërë presion gjyqtarit. Kështu edhe gjyqtari rrezikon të bëhet objekt i ndonjë raprezalje politike.

Pas vendimit, Petro Koçi shkroi në Facebook-un e tij se “Këto ditë jam tronditur nga një lajm sipas të cilit gjyqtari Ergys Selmanaj ka ndëshkuar Kompaninë Albpetrol për te dëmshperblyer një shtetas me mbiemrin Isufaj me rreth 500 milionë lekë (të vjetra) për shkak “të dëmit moral” që i paskësh shkaktuar kompania këtij shtetasi gjatë aktit të ndërprerjes së marredhënieve të punës…i bie që presioni i të fortëve vazhdon të gjunjëzojë gjyqësorin…PS Fier mirëpret çdo hap që korrigjon shpejt këto veprime të shëmtuara të gjyqësorit”.

/TPZ.al/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re