Deputeti demokrat, Edmond Spaho i cili është rreshtuar krah Sali Berishës, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të kreut të PD-së, Lulzim Basha për shkarkimin e Flamur Nokës si nënkryetar i Komisionit të Sigurisë.

Spaho shkruan se Basha po sillet si diktatori Enver Hoxha, ku pas dëbimeve duhet të fillojë me internimet. Spaho shton se Bashës po i mblidhe litari dhe po kthehet në një person qesharak dhe i mjerë.

“Lul mjaft me debime, fillo internimet tani. Bjeru deputeteve si ne 45. Po ndonje pushkatim nuk do bejme?Nuk e ben dot Enverin ti. I pari ishte historik, i dyti qesharak dhe i mjere. Po te mblidhet litari, Lul, po te mblidhet”, shkruan Spaho në facebook.

Edhe demokrati Fatbardh Kadilli e ka dënuar këtë veprim të Bashës duke thënë se ky model tregon degradimin e opozitës e cila po zvogëlohet çdo ditë edhe më shumë.

“Shkarkimi i z. Noka një dëshmi tjetër e traditës së shëmtuar të përjashtimeve.  Opozita zvogëlohet edhe me shumë nga përjashtimi. Një dëshmi e re e kryetarokracisë. Basha e emëroi Kryesinë e grupit dhe gati dy të tretat e Kryesisë si një kryetarokrat dhe e shkarkon po si kryetarokrat. Demokratët duhet të reagojnë kundër modelit jo rastit personal.

Basha veproi si Kryetarokrat jo vetëm kur shkarkoi, por edhe kur emëroi. Përplasja me akuza të ndërsjellta me etiketime “llum” apo “peng” tregon degradim. Kë të besojnë demokratët? Ata meritojnë më shumë nga Kryetari dhe nga ish Kryetari. Kjo klimë përplasjesh dhe përjashtimesh tregon degradim.

Idetë dhe propozimet e Manifestit “për një parti më e madhe se kryetari” janë përgjigjja për të dalë nga kjo gjendje si një parti e pastër, e hapur, e bashkuar, fituese”, shkruan Kadilli.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re