Skip to content

Shkarkimi i Ilir Metës, Gjykata Kushtetuese shqyrton sot vendimin

Gjykata Kushtetuese do të mblidhet mëngjesin e së hënës për të tretën herë për të vijuar shqyrtimin e vendimit të parlamentit që kërkon shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Në seancën e fundit, përfaqësuesit e Presidentit kundërshtuan procedurën që ishte ndjekur nga Parlamenti për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit.

Sipas tyre, Presidentit të Republikës iu mohua e drejta për t’u dëgjuar në Parlament para se të merrej vendimi për ngritjen e komisionit hetimor.

Pas pretendimeve të Presidencës, trupa gjykuese e Gjykatës Kushtetuese drejtoi 70 pyetje ndaj tyre, për të cilat juristët e Presidencës kërkuan 48 orë kohë për përgjigjet.