Deputetja Rudina Hajdari ka reaguar në lidhje me heqjen e mandatit të Agim Kajmakut ditën e sotme nga KQZ. Në një postim në Twitter, Hajdari shprehet se ky është rasti i dytë brenda pak muajve që tregon se sistemi zgjedhor është kalbur.

Deputetja kërkon masa të rrepta si për individët ashtu dhe për partitë, ndërsa e sheh ndryshimin e sistemit zgjedhor si zgjidhjen e vetme.

Postimi i plotë i Rudina Hajdarit: 

Rasti i dytë brenda pak muajve nga Partia Socialiste që na tregon se sa i kalbur është sistemi ynë zgjedhor, ku njerëz me të kaluar kriminale vendosen nga kryetarët e partive si kandidatë për zgjedhje dhe cënojnë proceset integruese dhe demokracinë në vend.

Patjetër që jo vetëm duhen marrë masa të rrepta si për individët, por dhe për partitë pasi duhet të mbajnë ata përgjegjësi, mbi të gjitha. E vetmja zgjidhje është ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe futja e një mentaliteti më të shëndoshë.

Pas Valdrin Pjetrit, Partia Demokratike arrin të largojë kryebashkiakun e dytë socialist në harkun kohor të 2 muajve. Agim Kajmakut, iu hoq sot mandati unanimisht nga KQZ, pasi gënjeu në formularin e dekriminalizimit, duke mos deklaruar një arrestim të vitit 2003 në Janinë. Kajmaku, ka 45 ditë kohë për të ankimuar vendimin.

Në lidhje me këtë vendim ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se PS-ja nuk kthehet në strehën e atyre që i thyejnë besimin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re