Komisioni i Ligjeve në Bashkinë e Tiranës do të mblidhet nesër ne 10:00 për të shqyrtuar kërkesën e këshilltarëve socialistë për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Më pas, në 16:00 do të mblidhet Këshilli Bashkiak, ku pritet të diskutohet edhe për kërkesën për shkarkimin e Veliajt, i cili prej 10 shkurtit mbahet në qeli. Kryebashkiaku ka kërkuar që para se të merret vendimi për shkarkimin e tij, të dëgjohet, por ende nuk dihet nëse do të jetë pjesë e mbledhjes.
Këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranës u vunë në lëvizje duke nisur procedurën për shkarkimin e Veliajt pas kërkesës së Edi Ramës në Asamblenë e PS, duke u mbështetur në shkeljen e nenit 62, gërma C, të Ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, që ka të bëjë me mosparaqitjen në detyrë për të paktën 3 muaj.
Vendimmarrja për t’i propozuar qeverisë shkarkimin e kryebashkiakut do të duhet të marrë votën e shumicës së të gjithë këshilltarëve, pra 31 pro nga 61 anëtarë gjithsej. Pas votimit, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës. Qeveria më pas vendos shkarkimin.
Por, vendimi i qeverisë për shkarkimin e kryebashkiakut mund të mos jetë fjala e fundit. Neni 115 i Kushtetutës e thotë qartë se Kryetari i bashkisë ka të drejtë ta ankimojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditësh, dhe në këtë rast vendimi i qeverisë do të pezullohej, deri në një vendimmarrje të gjykatës më të lartë në vend.
Erion Veliaj qëndron në paraburgim me masë sigurie “arrest në burg” që prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua me urdhër të GJKKO pasi akuzohet nga SPAK për 13 akuza, mes të cilave 9 raste korrupsioni.

