Shkarkimi i Flamur Nokës nga posti i nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë dhe paralajmërimi për ta përjashtuar nga grupi i PD-së ka sjellë reagime të shumta. Ish-drejtuesi i PD-së Gjirokastër dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Roland Bejko fajëson Nokën për situatën e krijuar.

“Flamur Noka ka dashur edhe ta provokojë situatën. I ka vendosur fjalët në një tjetër kontekst për t’i hedhur “benzinë zjarrit”.

Të thuash kryetari i ka quajtur anëtarët e partisë “llum”, kjo është bërë enkas për të nxitur mërinë e bazës ndaj kryetarit të partisë. Kjo vjen me strategjinë e Berishës që të marrë të gjithë bazën me vete dhe Basha të largohet” tha ai  në “ABC news”.

Situatën brenda PD-së, Bejko e cilësoi mjaft të rëndë.  “Situata është shumë konfliktuale. PD është në ditët më të këqija që ka pasur në 30 vite. Është krizë lidershipi. PD nuk duhet të ndahet, por të jetë e bashkuar” tha ai.

Por si e parashikon Bejko fundin e duelit Basha-Berisha? “Sikur po marrin gjërat, PD po shkon drejt ndarjes, mos e nënvlerësoni zotin Basha” përfundoi ai.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re