Është shkarkuar nga detyra gjyqtari i Apelit Fatos Qato. Ky ka qenë vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Qato ishte gjyqtar i gjykatës së Apelit Tiranë, ndërsa i janë evidentuar probleme me deklarimin e pasurisë dhe me burimin e të ardhurave.

Hetimi i kryer në KPK:

Relatorja Brunilda Bekteshi, e nisi relatimin e hetimit administrativ pak ditë më parë duke thënë se ILDKPKI, ka dorëzuar një raport pozitiv, ku konstatonte se deklarimi i gjyqtarit ishte i saktë dhe në përputhje me ligjin.

Por nga ana tjetër, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka kryer një hetim të thelluar. Konkretisht, hetimi është përqendruar në apartamentin e banimit në Tiranë, të blerë në vitin 1997 për vlerën 28 mijë e 200 dollarë, ndërsa kalimi i pronësisë është bërë në vitin 2017. Gjatë këtij viti është bërë edhe pagimi i këstit të katërt, për të cilin gjyqtari deklaron se ka humbur dokumentacionin.

“Hetimi është përqendruar në apartamentin e banimit në Tiranë, blerë në vitin 1997, për 28 mijë e 200 dollarë. Kalimi i pronësisë për këtë apartament është bërë në vitin 2017, pra 20 vite më vonë. Komisioni ka hetuar në lidhje me burimet e krijimit të kësaj pasurie, si dhe për mos përputhjet në deklarime”, tha Bekteshi.

Referuar hetimit, rezulton se Qato, në deklarimet e përvitshme, ka deklaruar si të ardhura për blerjen e apartamentit, të ardhurat e tij, ndërsa nga deklaratën veting, ka deklaruar se për të bërë këtë blerje, është ndihmuar edhe nga vjehrri dhe vjehrra.

Një tjetër problem të konstatuar nga ana e Komisionit, është edhe fakti se gjyqtari nuk ka arritur të justifikoj me dokumente provues, të ardhurat e tij dhe bashkëshortes për vitet e para, kur kanë filluar punën. Nga ana tjetër, Qato tha se institucionet përkatëse, nuk ia mundësonin dokumentacionet.
“Subjekti i rivlerësimit, zoti Qato, nuk ka paraqitur dokumentacion për të ardhurat e tij dhe bashkëshortes, me pretendimin se institucionet ku ata kanë punuar, nuk ia mundësonin”, tha Brunilda Bekteshi.

Më tej, u relatua se nga një analizë financiar të bërë, rezultonte negative, ku nuk mbulonte dot shpenzimet me të ardhurat. Në hetim, ka kaluar gjithashtu, një shtëpi banimi, të cilën ia ka dhuruar vjehrra. Sipas relatores, nga hetimi për këtë pasuri, nuk ka dyshime për krijimin e saj.

Si dhe një llogari rrjedhëse, në vlerën 7 mijë euro, me pjesë takuese 50%, për të cilën nuk u ngritën dyshime nga Komisioni.

Një tjetër pasuri, e cila sipas KPK-së, rezulton se nuk justifikohet nga gjyqtari është edhe një makinë në vlerën 28 mijë e 500 euro. Sipas relatores, nga analiza financiare e për vitin 2012, rezulton se Fatos Qato nuk ka pasur të ardhura, kjo pasi del me bilanc negativ në shumën minus 2 milionë e 500 mijë lekë. Gjatë këtij viti, bashkëshortja e tij, ka blerë edhe një tokë në fshatin Lin të Pogradecit, për 108 mijë lekë.
Është bërë pagesa e kësteve të dy makinave, është bërë restaurim i shtëpisë, si dhe shpenzime për djalin, të cilat sipas Komisionit, nuk arrin t’i mbulojë me të ardhurat e ligjshme.

Më tej, u relatua se gjyqtari nuk ka arritur të justifikojë me dokumentacion, pagimin e shpenzimeve të vajzës së tij në Holandë. Ai ka pretenduar se shpenzimet janë paguar nga bashkëjetuesi i vajzës, por nuk ka arritur, sipas KPK-së, të sjell dokumente për të vërtetuar pretendimet e tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re