Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi të hënën të shkarkojë nga detyra Drejtuesin e Prokurorisë së Apelit të Shkodrës, Brahim Dragjoshi. Procesi i vetingut për prokurorin Dragjoshi u krye nga trupa gjyqësore KPK e përbërë nga Valbona Sanxhaktari në cilësinë e kryesueses, Pamela Qirko relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar.

Në seancën dëgjimore, Komisioni konstatoi një sërë problemesh lidhur me një banesë tre katëshe në Paskuqan, ndërtimi i së cilës kishte nisur në vitin 1996 dhe ishte legalizuar në vitin 2015. Sipas KPK, prokurori Dragjoshi kishte kryer kundravajtje penale me zënien e truallit shtetëror ku është ndërtuar banesa. Gjithashtu, u evidentua edhe fakti se ndërtimi pa leje përbënte shkelje administrative, në kohën kur ishte ndërtuar banesa.

Komisioni ka gjetur mospërputhje dhe pasaktësi në deklarimin e kësaj pasurie si edhe të burimit të krijimit. Dragjoshi u gjet në pamundësi financiare për ndërtimin e banesës. Balancë negative u konstatua edhe për blerjen e dy automjeteve.

Brahim Dragjoshi ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe prej gati dy dekadash e ka ushtruar funksionin e tij në Prokurorinë e Apelit të Shkodrës. Ai e drejtoi Prokurorinë e Apelit Shkodër në vitet 2010-2014 dhe u rikthye në këtë pozicion si i komanduar në vitin 2019.

loading...