Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të martën të shkarkuar Prokurorin e Prokurorisë së Tiranës Blerim Tominaj të shkarkuar për shkak të pasurisë së pajustifikuar të përbërë nga dy lokale, dy apartamente, si dhe depozita bankare në vlerë mijëra euro.

Prokurori Tominaj nuk ishte i pranishëm as në seancën dëgjimore të zhvilluar më 12 qershor dhe as në shpalljen e vendimit të martën.

Tominaj u përfaqësua  në seancë nga avokati Adriatik Camaj, ish-prokuror në Prokurorinë e Tiranës dhe një prej ish-kandidatëve për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, i shkarkuar nga detyra me vendim të formës së prerë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit më 18 shkurt 2019, pasi u identifikuan probleme për pasurinë dhe dyshime për korrupsion.

Trupa gjykuese që kreu rivlerësimin e prokurorit Blerim Tominaj përbëhet nga Genta Tafa Bungo kryesuese, Suela Zhegu relatore dhe Etleda Çiftja anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.

Blerim Tominaj e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punoi për më shumë se një dekadë si prokuror në Prokurorinë e Tiranës.

Në vitin 2014, ai u emërua zv.drejtues i ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe vazhdoi të punonte atje deri në shkrirjen e saj, në dhjetor 2019. Aktualisht, Tominaj është komanduar si prokuror në Prokurorinë e Tiranës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re