Federata e Futbollit e Spanjës (FFS) e ka shkarkuar të martën Joge Vildan, trajnerin e ekipit kombëtar të grave që e fitoi Kupën e Botës, disa ditë pasi ai e duartrokiti një fjalim kontrovers të shefit të futbollit spanjoll Luis Rubiales rreth puthjes me forcë të futbollistes Jenni Hermoso.

 

Një bord i ri i formuar pas pezullimit të Rubiales nga FIFA mori vendim për t’ia ndërprerë kontratën trajnerit Vilda, i cili vlerësohet si aleat i ngushtë i Rubiales, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

 

FIFA, shtëpia e futbollit botëror, e pezulloi Rubialesin më 26 gusht, pasi ai e puthi me forcë në buzë Hermoson, gjatë ceremonisë së trofeut kur kombëtarja e grave e Spanjës e fitoi Kupën e Botës më 20 gusht.

 

Të premten, Vilda e duartrokiti shefin e futbollit Rubiales pas një fjalimi gjatë të cilit ai nuk pranoi të japë dorëheqje dhe e përshkroi puthjen si një veprim “të lirë, të ndërsjellë dhe konsensual”.

 

Duke iu drejtuar Vildas, Rubiales e quajti atë si trajnerin më të mirë në futbollin e grave dhe i ofroi kontratë të re katërvjeçare me pagë vjetore prej 500.000 eurove.

 

Por, një ditë më vonë, Vilda ndryshoi qëndrim dhe e kritikoi Rubialesin përmes një komunikate për media, megjithëse nuk bëri thirrje për dorëheqjen e tij.

 

Hermoso, ndërkohë, tha disa ditë pas incidentit se u ndje sikur u sulmua nga shefi i futbollit spanjoll.

 

“U ndjeva e cenuar dhe viktimë e një sulmi, një veprimi impulsiv dhe maskulinor; një veprimi të pavend me asnjë lloj pajtimi nga ana ime. Thjesht, unë s’u respektova”, tha Hermoso në një deklaratë në rrjetet sociale më 25 gusht.

 

Unioni i futbollisteve, Futpro, Hermoso dhe 80 futbolliste të tjera kanë thënë se nuk do të pranojnë të luajnë më për Spanjën “nëse federata vazhdon ta ketë udhëheqësin e njëjtë”.

 

Rubiales ka qëndruar i palëkundur në refuzimin e tij për të dhënë dorëheqje nga posti “për shkak të një puthjeje paksa konsensuale”.

 

Rubiales është duke u hetuar edhe nga Gjykata Sportive e Spanjës./rel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re