Task Forca Antikorrupsion ka vijuar me të tjera goditje në radhët e administratës publike. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka publikuar dje bilancet dhe ka bërë me dije se janë gjetur shkelje në shumë institucione. Sipas saj, duke marrë shkas nga ankesat dhe denoncimet të adresuara në platformën shqiperiaqeduam.al, Task Forca Antikorrupsion gjatë kësaj jave ka kryer kontroll në zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Berat. “Në përfundim të kontrollit u konstatuan shkelje të afateve për trajtimin e praktikave dhe përpunimit të kërkesave të qytetarëve të cilat kanë çuar në mohimin e të drejtës për të marr shërbim në kohë dhe me cilësi. Bazuar në shkeljet e sipërpërmendura u rekomanduan disa masa disiplinore për punonjësit e kësaj zyre vendore. Vërejtje me shkrim për 3 përgjegjës sektori, 2 përgjegjës zone, përgjegjësit të sektori të arkivës dhe administrimit të informacionit si dhe një specialiste të kësaj zyre. Gjithashtu u rekomanduan masa administrative me qëllim përmirësimin e veprimtarisë së zyrës vendore Berat për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ofruara ndaj qytetarëve”, tha ajo. Gjonaj u ndal dhe te abuzimet në Hipotekën e Durrësit. Ajo bëri me dije se është dorëzuar kallëzim penal në prokurori. “Gjithashtu në vazhdën e inspektimeve të kryera më herët në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës masat vazhdojnë. Pas inspektimit është depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës kallëzim penal për veprat e dyshuara të “shpërdorimit të detyrës” si dhe të “pastrimit të produkteve të veprës penale”, të kryera në bashkëpunim, për punonjësit e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës. Rezulton se, me veprime apo mosveprime, janë thyer rregullat e parashikuara nga aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi për regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme, si dhe nga veprime të cilat kanë çuar në asgjësimin e akteve e kartelave të Pasurive të Paluajtshme”, tha ajo. Ministrja informoi se nisur nga një tjetër ankesë e ardhur pranë portalit shqiperiaqeduam.al lidhur me veprimtarinë e Zyrës Përmbarimore Shtetërore Fier, është shkarkuar nga detyra kryetari i kësaj zyre Arjan Cepele. Po gjatë kësaj jave, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Drejtësisë, ka evidentuar shkelje ligjore për 6 punonjës policie pranë Burgut në Lezhë, pasi kanë kryer veprime në kundërshtim me legjislacionin në fuqi lidhur me elementët e sigurisë në institucionet penitenciare. Materialet gjithashtu janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re