Shkëmbim zjarri mes policisë dhe disa personave të tjerë janë regjistruar këtë të shtunë në fshatin Bube të Zubin Potokut.

Në një njoftim për mediat, policia bën me dije se ata kanë vënë re lëvizje të dyshimta të një automjeti, si dhe rezistencë të personave të armatosur për t’i kontrolluar. Në këto kushte, blutë e Kosovës kanë qëlluar me armë për të pasur nën kontroll situatën dhe kanë arritur të arrestojnë një shtetas serb, i cili u është kundërpërgjigjur uniformave blu. Nga të shtënat me armë, fatmirësisht nuk ka pasur asnjë person të lënduar.

“Të ndodhur në një situatë të tillë, për të mbrojtur vetën dhe vënë situatën nën kontroll, zyrtarët policorë i janë kundërpërgjigjur sulmit po ashtu me armë dhe kanë arritur ta arrestojnë njërin nga të dyshuarit: D.I., (viti i lindjes 1981, mashkull serb kosovar nga Z.Potoku). Gjatë shkëmbimit të zjarrit, zyrtarët policorë dhe i arrestuari nuk kanë pësuar lëndime”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit të kamionit, sipas njoftimit për media janë gjetur të ngarkuara 40 dele, pa dokumentacion përcjellës e që dyshohet se janë kontrabanduar nga Serbia për në Republikën e Kosovës.

Po ashtu aty janë hasur edhe dy automjete të braktisura, dyshohet se kanë qenë në përcjellje të kamionit.

Ndërkaq, sipas njoftimit kamioni me dele është dërguar në terminalin doganor, dy makinat e gjetura në vendngjarje janë konfiskuar, kurse serbi i arrestuar, me vendim të prokurorisë do të mbahet në izolim për 48 orë./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re