Irani dhe SHBA shkëmbyen të burgosur të shtunën kështu që një student i diplomuar nga Universiteti Amerikan Princeton u la i lirë në Iran në këmbim të një shkencëtari iranian të mbajtur nga amerikanët, tha ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif.

I diplomuari amerikan Xiyue Wang dhe studiuesi iranian Massoud Soleimani u shkëmbyen – njoftoi Zarif.

“Jam i lumtur që Profesori Massoud Soleimani dhe Xiyue Wang do të bashkohen së shpejti me familjet e tyre. Shumë falënderime për të gjithë të përfshirë, veçanërisht qeverinë zvicerane”, shkroi Zarif në Tëitter, duke konfirmuar njoftimet që qarkullonin për ditë të tëra se po bëhej një marrëveshje për lirimin e Wang.

Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar veçmas se Wang është i lirë. duke thënë se ai po “kthehet në SHBA”.

“Wang është mbajtur nën akuza për spiunazh që prej gushtit 2016. Ne i falënderojmë partnerët tanë zviceranë për ndihmën e tyre në mbylljen e çështjes së Wang me Iranin”, ka shkruar Trump.

Ambasada Zvicerane në Teheran përfaqëson interesat e SHBA në atë vend, ku Ambasada e SHBA është mbyllur që nga viti 1979, që nga kriza e pengjeve që zgjati 444 ditë.

Përfaqësuesi Special për Iranin, Brian Hook, shoqëroi shkencëtarin iranian në Zvicër dhe do të kthehet me Wang pas shkëmbimit në Shtetet e Bashkuara, tha një zyrtar i panjohur amerikan.

Wang u dënua me 10 vjet burg për gjoja hyrje në vend dhe dërgimin e materialit konfidencial jashtë vendit.

Familja e tij dhe Universiteti Princeton i kanë mohuar me forcë këto pretendime.

Ndërsa Soleimani, i cili punon në hulumtimin e qelizave burimore, hematologjinë dhe ilaçin rigjenerues, është arrestuar në SHBA me akuzën se ai shkelte sanksionet tregtare duke provuar të sillte materiale biologjike në Iran.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re