Një ekip kinez ka gjetur një koronavirus të ri lakuriq nate që mbart rrezikun e transmetimit nga kafsha te njeriu, sepse përdor të njëjtin receptor njerëzor si virusi që shkakton Covid-19. Virusi, i quajtur HKU5-CoV-2 , u zbulua se përdor të njëjtin receptor njerëzor si SARS-CoV-2, virusi përgjegjës për Covid-19.

Sipas një raporti në South China Morning Post, studimi u drejtua nga Shi Zhengli- një virologe,  e quajtur shpesh si “gruaja e lakuriqëve”, për shkak të kërkimit të saj të gjerë mbi koronaviruset e lakuriqëve të natës. Studimi vjen pas një rritje e rasteve të metapneumovirusit njerëzor të ngjashëm me gripin (HMPV) në Kinë. që ngriti frikën për një tjetër pandemi të stilit Covid.

Sipas studiuesve, virusi i identifikuar është në gjendje të lidhet me enzimën njerëzore konvertuese të angiotenzinës (ACE2), i njëjti receptor i përdorur nga virusi Sars-CoV-2 që shkakton Covid-19 dhe infekton qelizat.

“Ne raportojmë zbulimin dhe izolimin e një linje të veçantë (linja dy) e HKU5-CoV që mund të përdorë jo vetëm ACE2 të lakuriqëve të natës, por edhe ACE2 njerëzore dhe ortologë të ndryshëm ACE2 të gjitarëve”, shkruajnë shkencëtarët në një punim të botuar në revistën Cell.

Studiuesit deklaruan gjithashtu se “merbeccoviruset e lakuriqëve të natës… paraqesin një rrezik të lartë për t’u përhapur te njerëzit ose me transmetim të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet pritësve të ndërmjetëm”

Rreziku i mundshëm i përhapjes

Testet laboratorike zbuluan se virusi mund të infektojë qelizat njerëzore, indet e mushkërive dhe të zorrëve të rritura artificialisht. Ai gjithashtu mund të lidhet me receptorët ACE2 te njerëzit, lakuriqët e natës dhe kafshët e tjera, duke rritur gjasat e transmetimit midis specieve.

Edhe pse HKU5-CoV-2 ka një aftësi lidhëse më të fortë se lloji i tij origjinal me një gamë më të gjerë të pritësve, studiuesit theksuan se ai është shumë më pak i fuqishëm se SARS-CoV-2, virusi përgjegjës për COVID-19, dhe rreziku i transmetimit të gjerë njerëzor është i ulët.

Pavarësisht potencialit të tij për infeksion njerëzor, studiuesit paralajmëruan të mos ekzagjerohet me kërcënimin. Ata vunë në dukje se efikasiteti i virusit në lidhjen me ACE2 njerëzor është “dukshëm më i ulët” se ai i SARS-CoV-2.

“Rreziku i shfaqjes së [HKU5-CoV-2] tek njerëzit nuk duhet të ekzagjerohet,” thanë ata./economictimes.indiatimes.com

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko