Marrja e një vaksine kundër gripit mund të prishë ciklet menstruale të grave, thonë shkencëtarët.

Ekspertët zbuluan se vaksina zgjat ciklin më se zakonisht. Shkencëtarët thanë se dyshonin se ndryshimi mund të shkaktohet nga vaksina, që nxit sistemin imunitar të bashkëveprojë me hormonet seksuale të një gruaje. 

Gjetjet vijnë pas raportimeve të konsiderueshme të grave, që janë ankuar për menstruacione të zgjatura ose jashtëzakonisht me dhimbje pas vaksinimit. 

Aktivistët kundër vaksinimit i kanë shfrytëzuar më parë këto raporte, duke i përdorur ato për të përhapur frikën se vaksinat mund të ndikojnë në  fertilitet, megjithëse këto janë hedhur poshtë nga shkencëtarët

Ekspertët e studimit të ri thanë se ishte thelbësore të kuptohej më shumë rreth ndërveprimit midis cikleve menstruale dhe vaksinave për të ndihmuar në luftimin e hezitimit në rritje ndaj vaksinave.

Në hulumtimin e fundit, shkencëtarët nga Universiteti i Shëndetit dhe Shkencës i Oregonit në SHBA analizuan të dhënat e pak më shumë se 1,500 grave të moshës midis 18 dhe 45 vjeç.

Nga këta, 791 kishin marrë vetëm vaksinën kundër gripit, ndërsa 710 kishin marrë vaksinat kundër gripit dhe Covid në të njëjtën kohë. 

Mesatarisht, gratë që bënë vaksinën kundër gripit panë që gjatësia e ciklit menstrual u rrit me gjysmë dite.

Rreth një në 20 gra në të dy grupet përjetuan një ndryshim në cikël të paktën tetë ditë pas vaksinimit. 

Ndryshimi në ciklin menstrual ndodh vetëm nëse gratë janë vaksinuar në gjysmën e parë të ciklit të tyre.

Studiuesit zbuluan se rritja ndodhte vetëm nëse gratë vaksinoheshin gjatë fazës folikulare të ciklit të tyre – kur një vezë piqet për t’u liruar gjatë ovulacionit – e cila fillon ditën kur një grua merr ciklin dhe mund të zgjasë 13 deri në 14 ditë. 

Ashtu si studimet e mëparshme mbi këtë temë, këto ndryshime janë të përkohshme.

Duke shkruar në revistën JAMA Network Open, ekspertët amerikanë thanë se gjetjet e tyre duhet t’i ndihmojnë mjekët të sigurojnë pacientët e shqetësuar për efektet anësore të vaksinës.

Ata shtuan se lidhja midis vaksinave dhe ciklit menstrual ishte lënë pas dore në kërkime dhe duhet të adresohet.  

Ata thanë se mekanizmi i saktë se si vaksinat shkaktuan ndryshime në cikël mbeti i paqartë. Megjithatë, ata shtuanse fakti që dukej se ndikonte tek gratë vetëm në gjysmën e parë të ciklit të tyre sugjeronte se përgjigja imune e gjeneruar nga një injeksion po prishte prodhimin e hormoneve të një gruaje, duke ndikuar në ciklin e saj. Autorët thanë se gratë që duan të shmangin këtë mund të caktojnë kohën e duhur për vaksinimet e tyre. 

Ata shtuan se studimi i tyre kishte disa kufizime, veçanërisht në kampion dhe jo  larmishmërinë e mostrës së grave. 

Kohëzgjatja e ciklit menstrual ndryshon midis grave individuale, por mesatarja është çdo 28 ditë. 

Megjithatë, ciklet aq të shkurtra sa 21 ditë ose aq të gjata sa 40 nuk konsiderohen të pazakonta.   

Ekspertët këshillojnë gratë të kontaktojnë mjekun e tyre nëse cikli i tyre menstrual është i parregullt në situata të caktuara./Dailymail

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko