Ndërkohë që është duke luajtur edhe ndeshjet eleminatore të Ligës së Kampioneve ku humbja në Austri ndaj Salcburg e favorizon pak, Shkëndija nis edhe kampionatin maqedonas dhe menjëherë me një supersfidë.

Pikërisht në hapje për të mbrojtur titullin kampion ndeshjen e parë tetovarët e kanë luajtur ndaj rivalëve më të mëdhenj, Vardarit. Ndeshja është mbyllur në një barazim emocionues dhe, si përherë me polemika.

Pjesa e parë mbyllet në avantazh të kryeqytetasve falë golit të shënuar nga Barsegian duke trembur Shkëndijen. Por në të dytën janë golat e Bojkut dhe Ibraimit që përmbysin rezultatin në favor të tetovarëve. Por kuqezinjtë nuk e përfundojnë ndeshjen me këtë rezultat pasi Popov barazon edhe njëherë shifrat pesë minuta nga fundi.

Shkëndija e mbyll ndeshjen me një futbollist më pak pas daljes me kartonin e kuq të Alimit në minutën e 63-të ndërsa në shtesë kuqezinjtë pretendojnë edhe një penallti.

Me fitore e ka nisur këtë sezon skuadra tjetër shqiptare e Tetovës, Renova në transfertë ndaj Rabotniçkit 3-4. Ndërsa Shkupi luan sot në transfertën ndaj Silkes./Berati.TV

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re