Policia e Shkodrës ka kryer një sërë arrestimesh dhe ka referuar materiale në Prokurori për një sërë veprash penale, që nga mashtrimi për sigurimin e vizave, deri te drejtimi i automjetit në gjendje të dehur dhe ushtrimi i aktivitetit tregtar pa leje.
Arrestime dhe procedime penale:
A. N., 21 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe, është arrestuar nga specialistët e Qarkullimit Rrugor, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
H. B., 41 vjeç, banues në Tiranë, u procedua penalisht pasi dyshohet se ka mashtruar dy shtetas, duke u marrë para me premtimin për sigurimin e vizave për në Kroaci dhe Kanada.
N. M., 26 vjeç, banues në Shkodër, u procedua penalisht pasi në servisin e tij automjetesh u konstatuan punonjës të paregjistruar në organet tatimore.
K. W., 33 vjeç, banues në Shkodër, u kap duke ushtruar aktivitet tregtar në zonën bregdetare të Velipojës, pa pasur lejen përkatëse.
Ngjarje të tjera të evidentuara:
F. O., 57 vjeç, dhe F. H., 44 vjeçe, janë proceduar në gjendje të lirë, respektivisht për kanosje dhe goditje fizike ndaj personave të tjerë, për motive të dobëta.
Një 20-vjeçar, P. K., ka kallëzuar se i është vjedhur motomjeti në ambientet e një lokali në lagjen “Guerrile”. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Të gjitha materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme ligjore.