SHKODËR- Policia Bashkiake e Shkodrës ka nisur aksionin për lirimin e hapësirave publike, të cilat janë zaptuar në mënyrë të paligjshme nga subjektet tregtare, por edhe nga tregtarët ambulantë.

Gazetari i Abc News, Simon Shkreli, thotë se ky aksion nuk ka hasur në kundërshtimin e banorëve. Krahas heqjes së karrigeve, gazetari thotë se aksioni do të prekë gjithashtu heqjen e hekurave të vendosur nga subjektet për vendosjen e biçikletave.

“Nuk ka pasuar kundërshtime nga qytetarët. Hapësirat publike zihen me karrige, me vazo, frigoriferë dhe lavatriçe. Ka edhe tregtarë ambulantë, por ka edhe persona të ndryshëm, të cilët i vendosin materialet në trotuar dhe në rrugë. Të gjitha këto do jenë pjesë e aksionit të policisë bashkiake për të bërë të mundur lirimin e hapësirave publike. Gjithashtu do hiqen hekurat e improvizuar për lidhjen e biçikletave”, raportoi ai.

Ky aksion i Policisë Bashkiake është shtrirë kryesisht në rrugët kryesore të qytetit pasi në këto zona frekuentimi dhe lëvizja e njerëzve është më e lartë. Ky aksion vjen disa ditë pasi kryetari i ri i bashkisë Shkodër, Benet Beci, mori detyrën./n.m.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re