Skip to content

Shkodër/ Zbulohet tjetër ambient për kultivim droge me llamba, operacioni “Neonët 6”

Policia e Shkodrës ka goditur një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, duke finalizuar operacionin policor të koduar “Neonët 6”. Me këtë ndërhyrje, shkon në 10 numri i rasteve të goditura në kuadër të operacionit të gjerë “Neonët”.

Gjatë operacionit, u zbulua një banesë e përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike, në lagjen “Ndoc Mazi”, e pajisur me llamba dhe pajisje elektrike, të cilat furnizoheshin përmes lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike.

Si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale janë shpallur në kërkim shtetasi A. V., 35 vjeç, banues në Shkodër, dhe një 16-vjeçar, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Po ashtu, janë proceduar penalisht dy punonjës të OSHEE-së, shtetasit B. C., 33 vjeç, dhe G. A., 63 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se kanë ndihmuar në furnizimin e paligjshëm me energji elektrike. Një 22-vjeçare, shtetasja E. H., banuese në Pukë, u procedua për “Moskallëzim krimi”.

Gjatë kontrollit në ambientin e përshtatur për kultivim, policia sekuestroi 60 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 57 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e tyre dhe 4 aparate celularë.

Ndërkohë, nga kontrolli në banesën e shtetasit H. M., 49 vjeç, ngjitur me ambientin ku kultivohej droga dhe i ndaluar më herët për vepra të tjera penale, u sekuestruan 1 pistoletë sportive pneumatike pa numër, municion luftarak dhe 1 automjet.

Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.