Bashkia e Shkodrës i është drejtuar me një letër institucionit të Prefektit dhe Komisionit të Mbrojtjes Civile, të cilëve iu ka kërkuar marrjen e masave shtesë në këtë qark për të përballuar përhapjen e mëtejshme të pandemisë së koronavirusit.

Në letrën e kryetares Voltana Ademi kërkohet rritja e numrit të testimeve në territorin e bashkisë dhe pjesëmarrjen e Bashkisë në procesin e vendimmarrjes së gjurmimit dhe identifikimit të personave në risk duke qenë se numri i rasteve pozitive në institucionet publike po shtohet.

Letra e plotë

Lënda: Kërkesë për marrjen e masave shtesë për mbrojtjen dhe parandalimin e përhapjes së COVID19

INSTITUCIONIT TË PREFEKTIT TË QARKUT SHKODËR
KOMISIONIT TË MBROJTJES CIVILE TË QARKUT SHKODËR

Të nderuar,
Prej datës 9 mars 2020, Bashkia e Shkodrës punon në territor me grupet e punës për dezinfektimin, higjienizimin, pastrimin, shërbimin për individët dhe familjet në nevojë, për sigurinë dhe orientimin e qytetarëve për të zbatuar rregullat e domosdoshme për distancimin fizik.

Duke verifikuar që po shtohen rastet e konfirmuara pozitiv në institucionet publike (spital rajonal, prokurori, polici) dhe në bizneset aktive, është e domosdoshme marrja e masave shtesë për mbrojtjen e qytetarëve të Shkodrës, dhe administratës publike që shërben.

Me qëllim sigurimin e mbrojtjen e qytetarëve dhe vazhdimësisë së shërbimeve bazë ne territor kërkojmë:

1. Rritjen e numrit të testimeve në territorin e Bashkisë së Shkodrës.
2. Pjesëmarrjen e Bashkisë Shkodër në procesin e vendimmarrjes së gjurmimit, identifikimit të personave në risk për shkak të kontaktit me individ të konfirmuar pozitiv me COVID19.
3. Kryerjen e testimit për personelin që shërben në rrugë dhe në kontakt me qytetarët: personeli i spitalit rajonal, shërbimit shëndetësor parësor, policisë së shtetit, policisë bashkiake, punonjësve të UKSH Shkodër, punonjësve të shërbimit social, vullnetarëve, punonjësve të shërbimit të pastrimit dhe gjelbërimit, shpërndarësve të postës shqiptare, etj.
4. Informimin zyrtar për familjet dhe individët e konfirmuar pozitiv në territorin e Bashkisë Shkodër.

Vlerësojmë shumë të rëndësishme që të sigurojmë vazhdimësinë e punës në shërbim të qytetarëve, sigurimin e stafit dhe mbrojtjen e qytetarëve nga rreziku i transmetimit të COVID19.

Në pritje të përgjigjes tuaj,
KRYETAR

Voltana Ademi

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re