Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një bisedë telefonike me prefektin e qarkut të Shkodrës, kryetaren e Bashkisë, Voltana Ademi dhe ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu pas përkeqësimit të treguesve të përhapjes së pandemisë në zonan e Shkodrës.

Kreu i Shtetit u njoh nga autoritetet për masat e marra për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situates dhe theksoi rëndësinë e e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis autoriteteve qendrore dhe vendore, me qëllim izolimin e përhapjes së mëtejshme të këtyre rasteve.

Ilir Meta përsëriti edhe njëherë thirrjen drejtuar qytetarëve të Shkodrës që të zbatojnë me përpikmëri të gjitha protokollet shëndetësore të vendosura nga autoritetet

“Duke theksuar se shëndeti i çdo qytetari është prioriteti ynë absolut, dhe se në këtë situatë kërkohet përgjegjshmëri maksimale, bashkëpunim, profesionalizëm, përkushtim dhe transparencë, i ftoj edhe njëherë të gjithë qytetarët, në veçanti të Qarkut Shkodër, të respektojnë me përpikmëri protokollet shëndetësore, këshillat e stafeve të specializuara mjekësore, të ndjekin dhe të zbatojnë vetëm sugjerimet e institucioneve shtetërore”, shkruhet në mesazhin e publikuar nga presidenti Ilir Meta.

Edhe kryeministri Rama ka bërë dhe një apel ndaj qytetarëve të Shkodrës, duke u kërkuar të zbatojnë rregullat dhe të kujdesen, pasi ekziston rreziku të kthehen në një bombë e kurdisur me sahat.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re