Mbishkrimin “15.07.1947” e gjen ende në murin e qelisë nr.8 në burgun e Shkodrës. Data u gdhend nga një 19 vjeçare e cila u torturua nëpër burgjet komuniste… e arrestuan sepse e akuzonin se kishte organizuar funeralin e një njeriu të besimit (Dom Gaspër Thaçit), i konsideruar armik i popullit.

Ana Daja ka rrëfyer kalvarin e vuajtjeve në kohën e komunizmit, në një intervistë dhënë studiueses Fatbardha Saraçi (viti 2003).

Po përcjellim disa pjesë të këtij rrëfimi.

Shkodra e vitit 1945

Shkodra e bukur me oborre plot me lule, u mbush me burgje, ishin rreth 20 të tillë. Në fillim të vitit 1945 filluan me arrestue klerikët e parë.

Funerali i Dom Gaspër Thaçit

“…Unë mora pjesë në funeralin e tij. Gjatë funeralit makina e policisë kishte bllokuar rrugën për të mos kaluar karrocat që shoqëronin funeralin, por rinia që kishin lënë mësimin e mbajtën karrocën me arkivolin dhe e çuan përpjetë pa pasur nevojë për kuajt dhe vazhduan funeralin.

Në sallën e gjimnazit, BRASH (Bashkimi i Rinisë Antifashiste Shqiptare”) organizonte konferenca kundër fesë. Gjithmonë i kam kundërshtuar, dilja në mbrojtje të njerzëve të fesë, të besimit fetar. Bëhet një mbledhje e madhe në palestrën e gjimnazit dhe vjen përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit... Na përjashtuan nga shkollat e të gjithë Shqipërisë.

Torturat

“Në pasditen e 26 qershorit 1947 trokitën në derë… më arrestojnë. Gjoja se donin të më merrnin në pyetje. Tek shtëpija e Çurçive ishte Dega e Punëve të Brendshme. Më futën në një dhomë dhe më lanë në çimento ,mbi një dërrasë kalova natën. Kryetari i Degës së Shkodrës ishte Z.Themeli. Nga dritarja e dhomës, pas mesnatës, kam parë Padër Mati Prendushën me një fanelë gjysëm të shqyer e mbathje të gjata, të lidhur me duar mbrapa me një pemë (mbasi e kishin torturuar). Filloi një shi i madh dhe atë e lanë të lidhur ….Natën e dytë më futën nën shkallë në një birucë të vogël. Më thotë Duli Rrjolli: Tash ta kemi gjetur vendin e përshtatshëm. Në atë birucë kishte minj dhe insekte.

Më futën në hetuesi, më thanë: Ke organizu nxënësit e shkollës kundër pushtetit popullor. Unë iu thashë: Ne jemi pak vajza, tashti sapo jemi bashkuar me gjimnazin dhe s’pata kur me u njoh me to. Mandej unë kam kohë që e kam braktisur shkollën sepse më përjashtuan dhe nuk e kam frekuentuar më gjimnazin.

Hetuesi-Ke organizuar funeralin e At Gaspër Thaçit!

Zoti Themeli më ra me grusht në fytyrë dhe gishti i vogël i tij më hyri në sy, më dha një shqelm dhe më rrëzoi në tokë. Mandej më çuan në dhomën e izolimit.

15 korrik 1947 u restaurua Dega e Punëve të Brendshme, ishte shtruar me çimento, mbi atë çimento të lagur e patharë aty gdhenda në mur datën 15.07.1947. Birucat ishin pa dritë, pa ajër. Dy herë në 24 orë na lejonin me kryer nevojat vetjake, ujë na jepnin vetëm një herë në ditë.

Një javë më lanë mbi çimento. Më solli familja rregosta. Muret e dritaret ishin të mbuluara me jorganë që të mos dëgjoheshin zërat e të torturuarve. Një ditë hetuesi Fadil Kapisyzi më tha: Të tregohesh e gatshme me tregu krimet që ke bër’ kundër pushtetit popullor përndryshe do të bëj provë korrentin elektrik.

Unë s’fola dhe s’dhashë asnjë përgjigjie. Atëherë hetuesi më vuri korrentin në dy veshët. Ishte një tronditje  e tmershme.

Hetuesia… vijojnë torturat

Në pytje me merrnin gjithmonë në mbrëmje. Një natë polici Ismail, që ishte i ri, si egërsirë, injorant, i mungonte gishti i madh i dorës së djathtë më thotë:-Ngrihu(çohu). Më dërguan në një dhomë tjetër, sa kam hyrë brenda, gati më ra të fikët. Banaku dhe dyshemeja ishin mbuluar me gjak të mpiksur.

Erdh Pjerin Kcira (përgjegjësi i burgut); ai grisi proces –verbalin e Kapiten Kapisyzit dhe më tha: Tash e tutje ke me pasur punë me mua.

Pjerin Kcira-Ti ke organizuar funeralin! Na trego emrat e nxënësve të shkollës. Duhet ta pranosh akuzën.

Ana –Unë s’i njoh ata.

Më vendosën telat e korentit në të dy veshët edhe më lidhën me duart. Disa herë kam nxjerrë gjak nga hundët dhe goja, në moment më ikte kujtesa, kisha zanë gjuhën me dhëmbë. Më futën në gojë çorap të palarë, të qelbur që të mos dëgjoheshin britmat e mija. Më ulën në çimento, më vendosën korrentin dhe në këto momente shanin me fjalorin më të ndyrë me fjalë të ndyra pa pikë turpi.

Pastaj më ka lidhë në murin mas dere m’lidhi duart me tel, m’i ngiti duart lart dhe telin e hodhi mrapa. S’kisha mundësi me lëvizë. Sa her’ u hapte dera, më ndeshte (përplasej) mbi mua që isha e lidhur. Në kët’ gjendje më majtën 5 ditë edhe 5 net, pa hëngër e pa ujë.

Nga 1-15 tetor 1947 më kanë lënë në këmbë, me fytyrë nga muri, pa lëvizur. Kur rrëzohesha, roja më hidhte kovën e ujit të ftohtë për të më ngritur përsëri në këmbë. Kështu si unë në korridor ishin dhe Dom Anton Muzaj (ai që zëvendësoi Monsinjor Thaçin) e kishin vendosur në sallën që zbriste në katin e parë, koka i takonte pak përmbi dyshemenë e korridorit ku ishim ne.

Një detaj i mbetur në memorje

Drita Kosturi, një vajzë e re. I kaloi jeta në burg dhe internime. U familjarizuam, por ishim të rezervuara nga frika e spiunëve që shpesh ndodheshin edhe aty ku s’e mendoje. Dritën e kishin lanë në një dhomë me Hafiz Dërgutin e Gjon Serreqin, e ajo na tregonte: Sa herë lutej hoxha në ritualin e faljes, aq herë ulej e ngrihej Gjoni, se ishin të lidhur të dy bashkë.

Ana Daja u nda nga jeta në vitin 2006. Pas la një dëshmi për vuajtjet e shumta të shqiptarëve, por edhe një rrëfim, një shembull mbi dinjitetin e një gruaje që u përball me torturat.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re