Sapo shkel në hyrje të qytetit të Shkodrës, menjëherë të zënë sytë qytetarët me biçikleta që shëtisin kudo nëpër rrugë, pavarësisht se disa herë me vështirësi duke qënë se mungojnë rrugët e dedikuara për lëvizjen e tyre. Vështirësia rritet edhe nga qarkullimi i shumtë i automjeteve, duke e penguar lëvizshmërinë e lirë të qytetarëve shkodranë që kanë zgjedhur 2-rrotëshin si mjet lëvizjeje. Megjithatë, lëvizja në mënyrë ekologjike e qytetarëve përmes përdorimit të biçikletave, mbetet një ndër tiparet dalluese të qytetit të Shkodrës. Kjo kulturë e lëvizjes ka ekzistuar prej vitesh. Sipas të dhënave të Planit të Lëvizjes së Qëndrueshme Urbane Shkodër, 29% e qytetarëve lëvizin me biçikletë dhe 44% janë këmbësore.[1]. Këto janë të dhëna pozitive që tregojnë se qytetarët shkodranë kanë një prirje pozitive për të qënë miqësore me mjedisin dhe ajrin në veçanti. Gjithashtu, Shkodra rrethohet nga 3 lumenj dhe liqeni, si edhe ka prani të gjelbërimit, element që ndihmojnë në krijimin e koridoreve ajrosëse. Kjo të bën të arrish në mendimin që Shkodra duhet të jetë ndër qytetet më pak të ndotura në Shqipëri përsa i përket cilësisë së ajrit, duke patur në avantazh të saj elementët e sipërpërmendur.

Ama, nga ana tjetër, duke qënë se kryeqëndra e veriut të Shqipërisë ka marrë zhvillim të madh sidomos vitet e fundit lidhur me turizmin natyror, historik dhe kulturor dhe numrin e lartë të turistëve që vizitojnë atraksionet e saj, e duke qënë edhe urë lidhëse e Shqipërisë me Europën përmes 2 doganave kryesore Hani i Hotit dhe Muriqan, shpeshherë bie pre e ndotjes së mjedisit dhe ajrit në mënyrë konkrete, për shkaqe të ndryshme.

Zona urbane e Shkodës nuk perceptohet ndër qytetet e ndotura, por herë pas here rezultojnë rritje të mëdha të nivelit të ndotjes në ajër kryesisht të lidhura me mbingarkesën e trafikut sidomos në orët e fluksit të lëvizjes dhe aktiviteteve në sektorin e ndërtimit. Duke qenë se siç u përmend më lart Shkodra është dhe qytet turistik, sidomos gjatë periudhës së verës rritja e nivelit të ndotjes përbën një shqetësim me rëndësi të veçantë.

Për fat të keq, nuk ka të dhëna të fundit zyrtare të publikuara. Agjensia Kombëtare e Mjedisit, si institucioni kompetent për matjen e cilësisë së ajrit dhe informimin e publikut, publikon çdo vit raportet e gjendjes së mjedisit. Sipas raportit të fundit të vitit 2021, në kapitullin për ndotjen e ajrit, është cilësuar se monitorimi i cilësisë së ajrit urban me stacione fikse është kryer në qytetet kryesore të vendit si: Durrësi, Shkodra, Korça, Berati, Lezha dhe Vlora. Por vlerat për Shkodrën janë vetëm për CO dhe sipas raportit nuk ka tejkalim norme. Në RGJM të vitit 2020, cilësohet se është kryer monitorimi i cilësisë së ajrit urban me stacione automatike në Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Korçë për një periudhë 2-mujore, për treguesit.: PM10, PM2.5, NO2, SO2 , O3, CO dhe bazuar në të dhënat e monitoruara, rezulton se nuk kemi tejkalim të vlerës limite vjetore në asnjë nga stacionet e monitoruara. Pra nuk jepet asnjë e dhënë e plotë përveç këtij citimi.

E pyetur më parë lidhur me problematikat apo pengesat që ndikojnë institucionin në realizimin e matjeve të parashikuara në kohë, cilëson: “Problematika kryesore është mirëmbajtia e stacioneve të ajrit. Stacionet e ajrit kanë nevojë për mirëmbajtje vjetore, e cila për shkak të procedurave dhe buxhetit të limituar, ka pasur raste që nuk është kryer e plotë”.

Lidhur me masat që janë ndërmarrë konkretisht nga AKM, komunikimi që jepet është “AKM ka si detyrë dhënien e rekomandimeve për marjen e masave nga pushteti lokal. AKM rekomandon pushtetin lokal për marrjen e masave”, ndërkohë që nuk kemi një përgjigje mbi masat konkrete që janë rekomanduar specifikisht.

Të tjera të dhëna nga ato të raporteve të AKM rezultojnë nga matjet alternative, duke qënë të vetmet të dhëna më të plota, pavarësisht se nga institucionet shihen me rezervë. Një rol të rëndësishëm në adresimin e problematikave lidhur me çështjet mjedisore dhe ato të cilësisë së ajrit si edhe në paraqitjen e rezultateve problematike të dala nga matjet alternative, kanë luajtur edhe organizatat e shoqërisë civile. Përmes monitorimit, informimit dhe advokimit janë përpjekur të lënë një gjurmë.

Në vijim të kësaj, në kuadër të projektit “Ajër i pastër, jetë e shëndetshme” përgjatë periudhës së verës, janë arritur të kryhen monitorime në 200 pika/stacione lidhur me 4 parametrat PM2.5, PM10, NO2 dhe CO2 përmes pajisjes Aeroqual në zona me intensitet lëvizjeje më të lartë me vendndodhje afër kryqëzimeve dhe pikave të ndërmjetme në rrugët kryesore, po ashtu edhe në ato të lagjeve më në periferi.

Duke marrë parasysh rezultatet e arritura, është evidentuar një nivel i lartë i sidomos i CO2 në 88.7% të zonës urbane në krahasim me vlerat standarte, duke vijuar më pas me NO2 i cili po ashtu konsiderohet i lartë në 54.5% të zonës urbane.[2] Këto vlera arrijnë pikun në rrugët e qendrës së qytetit, si edhe në pjesën jugore dhe perëndimore ku edhe lëvizja e automjeteve në orë të caktuara arrin pikun, por edhe gjelbërimi mungon. Vlera maksimale e CO2 e monitoruar gjatë muajit Tetor 2022 ka rezultuar 756 ppm/m3 në qendër të qytetit, në sheshin Demokracia, ndërsa ajo mesatare për të gjithë zonën urbane është 405 ppm/m3, vlera të cilat e tejkalojnë standardin kombëtar dhe europian (350 ppm/m3). Matjet janë kryer nga Organizata GO2 në Shkodër.

Projekti zbatohet nga organizatat partnere Milieukontakt Shqipëri, Together for Life, GO2 dhe Qendra EPER Korçë. Projekti zhvillohet në kuadër të “Green-AL”, një projekt i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim me fondet e Qeverisë Suedeze, i zbatuar nga Co-PLAN Institute for Habitat Development në bashkëpunim me VIS Albania, COSV – Cooperazione per lo Sviluppo dhe CISP – Sviluppo dei Popoli.

Matjet janë mundësuar në kohë reale edhe përmes 2 pajisjeve IQAir të instaluara në 2 stacione në qytetin e Shkodrës. Vlerat e indeksit të cilësisë së ajrit dhe grimcave të imëta të pluhurit PM2.5 kanë rezultuar disa herë mbi normat e lejuara, duke arritur vlera maksimale në orarin e drekës ku edhe aktiviteti është më i lartë.

Siç edhe studimet na tregojnë, degradimi i ajrit vjen si pasojë e kombinimit të elementëve ndotës me shkallë të lartë përqëndimi dhe ekspozimi për një kohë të gjatë i organizimit ndaj pranisë së tij, mund të shkaktojë efekt toksik. Në zonat e ndotura shpesh njerëzit vuajnë nga bronkiti, astma, dhe sëmundjet kardiake. Popullatat me ekspozim më të madh ndaj karbonit të zi për periudhë të gjatë janë në rrezik më të madh për arrest kardiak dhe stroke. Shqipëria renditet e pesta në Europë sa i takon numrit të vdekshmërisë që vjen prej sëmundjeve të zemrës dhe tensionit, me 53.7% të totalit të vdekjeve. Këtë e tregojnë studimet e Eurostat dhe INSTAT. Sipas të dhënave mbi sëmundshmërinë nga FSDKSH në vitin 2021, prevalenca e sëmundjeve ishemike të zemrës rezulton të jetë më e lartë në qytetin e Shkodrës.[3] Gjithashtu, sips INSTAT, Qarku i Shkodrës shënon vlerën më të lartë të koeficientit bruto të vdekshmërisë për grup sëmundjen “Sëmundje të aparatit të qarkullimit të gjakut”. [4] Fatkeqësisht nuk kemi të dhëna të fundit zyrtare të publikuara nga ISHP lidhur me lidhjen cilësi e ajrit- ndikim në shëndet apo sëmundshmëri.

Duke marrë si referencë treguesit në një nivel më të rritur të CO2 nga matjet e kryera nga projekti, arrijmë të imagjinojmë dëmin që mund të shkaktojnë nivele të larta ekspozimi tek qytetarët e Shkodrës, e më konkretisht tek ata që banojnë dhe punojnë në zonat urbane çdo ditë të jetës së tyre ose grupet vulnerabël ndaj sëmundshmërisë. Do të nevojitej një studim i thelluar dhe të dhëna zyrtare konkrete për Shqipërinë, por sipas të dhënave të OBSH, dëmet dhe pasojat nga ekspozimi afatgjatë mund të shkojnë deri në shkaktim vdekjeje njerëzish. Ndotja e ajrit të jashtëm shkakton deri në 7 milionë vdekje të parakohshme çdo vit.[5] Në Shqipëri, gjatë vitit 2019, kanë humbur jetën 2,257 persona si pasojë e ndotjes së mjedisit të jashtëm dhe brenda shtëpisë. Sipas të dhënave, ndotja e mjedisit ishte përgjegjëse për 10 % të totalit të vdekjeve në vitin 2019.[6]

Ndër faktorët kryesorë të ndotjes së ajrit në qytetin e Shkodrës është dendësia e qarkullimit dhe trafiku shpeshherë i pamenaxhueshëm në rrugët kryesore të tij, duke bashkangjitur këtu edhe vjetërsinë e automjeteve dhe cilësinë e ulët të karburantit, si edhe sipërfaqen e kufizuar të parqeve në rrugët kryesore urbane (më pak se 1m2/banor).[7] Mbrojtja e mjedisit dhe gjelbërimi, kanë një funksion të rëndësishem në përmirësimin e cilësisë së ajrit por duket se shpeshherë lihen në harresë, duke mos patur anjë mbështetje për ripyllëzimet apo rehabilitimin e kurorës së gjelbër të qytetit me pemët e duhura, që do të sillte kështu reduktimin e sasisë së CO2 të dëmshëm për banorët. Sipas raportit Green Lungs 2021, rrugë të rëndësishme të mobilitetit urban ose automobilistik janë pak ose aspak të gjelbëruara. Por edhe pemët e mbjella, nuk kanë funksionin e duhur për pastrimin e ajrit.[8] Nga ana tjetër, pavarësisht aktiviteteve ndërgjegjësuese që zhvillohen më së shumti nga shoqëria civile lokale e Shkodrës, mbetet ende niveli i ulët i aksioneve konkrete të vazhdueshme me impakt të dukshëm nga institucionet lokale.

Në buxhetin e vitit 2019 që u miratua nga Këshilli Bashkiak, u futën 100 milion lekë të vjetra si zë për investime mbi lëvizshmërinë në qytet, ku shtrirja e impaktit shkoi deri në vitin 2021. Bashkia Shkodër si institucioni kryesor i qytetit të biçikletave është përpjekur të jetë aktive në promovimin e mobilitetit urban dhe mbrojtjen e kulturës së pedalimit. Megjithatë, bashkitë lokale siç është edhe ajo e Shkodrës, hasin vështirësi në realizimin e ndryshimeve me impakt afatgjatë dhe investimeve me fondet aktuale, kështu që mbetet në dorë të pushtetit vendor të ndërmarrë masa strategjike më të qëndrueshme.

Nga ana tjetër, ashtu si në Bashkitë e tjera, edhe në Bashkinë Shkodër është domosdoshmëri aprovimi dhe zbatimi i planit të veprimit lidhur me cilësinë e ajrit mbi bazën e direktivave ligjore. Edhe vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e tij të auditimit të publikuar në faqen zyrtare citon se “Masat e marra nga qeverisja qendrore dhe lokale për përmirësimin e cilësisë së ajrit në vendin tonë nuk kanë qenë efektive dhe eficiente. Strategjia Kombëtare për Cilësinë e Ajrit (SKCA) e miratuar në vitin 2014, ende nuk është zbatuar. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk ka raportuar asnjëherë mbi zbatimin e SKCA – së. Plani Kombëtar i Veprimit për Cilësinë e Ajrit nuk është miratuar dhe si rrjedhojë asnjë Bashki në Shqipëri nuk ka miratuar Planet Vendore të Veprimit të Cilësisë së Ajrit”. Gjithashtu, citohet se: “ISHP nuk ka kryer asnjë studim epidemiologjik që të vlerësojë lidhjen shkak pasojë mbi ndikimin e cilësisë së ajrit në shëndetin e populatës”. Kjo rezulton të jetë ende situata aktuale.[9]

Për ta përmbledhur, do ishte me shumë vlerë që të viheshin në pah dhe të fuqizoheshin pikat e forta të qytetit të Shkodrës siç është kultura e lëvizjes me biçikleta si traditë e hershme apo pozicioni natyror në avantazh, duke punuar më shumë drejt politikave të ndërgjegjësimit të përdoruesve të automjeteve në respektimin e ligjit, reduktimin e përdorimit të makinave dhe rikthimit drejt kulturës e traditës së “dy-rrotaktëve”, rritjen e kontrollit ndaj subjekteve që tregtojnë karburant jo cilësor, rehabilitimin e kurorës së gjelbër, hartimin e një plani të qëndrueshëm mobiliteti urban. Gjithashtu, më e rëndësishmja, është domosdoshmëri vënia në zbatim e planit vendor të veprimit të cilësisë së ajrit, si edhe vijimi i proceseve të rregullta të monitorimit e pasurimi i raporteve përshkruese mbi cilësinë e ajrit dhe ndikimin e tij në shëndet nga institucionet përgjegjëse, me synim marrjen e masave në kohë.

 

[1] Plani i lëvizjes së Qëndrueshme Urbane Shkodër (2017-2025) – Draft, GO2

[2] Raporti mbi monitorimin e cilësisë së ajrit, faza 1 – GO2

[3] Numri i njerëzve të sëmurë, burimi FSDKSH

[4] Statistika të Shkaqeve të Vdekjeve, burimi INSTAT, 2021

[5] 7 milionë vdekje të parakohshme çdo vit, botuar në faqen e OBSH

[6] Raporti i kostove që shkakton ndotja e ajrit në shëndetin e njerëzve, Banka Botërore 2019

[7] Raport përfundimtar, Vlerësimi Strategjik Mjedisor P.P.V. Bashkia Shkodër, 2016

[8] Mushkëri të gjelbra për qytetet tona, Green Lungs 2021

[9] KLSH raport auditimi 2017.pdf

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re