Në vlerësimin e Akademisë së Shkencave, situata në Shkodër dhe rritja e numrit të të prekurve nga koronavirusi tregon dhe një herë nevojën e ngutshme që  duhet të kenë institucionet shëndetësore në ndjekje të situatës së pandemisë në qytetin më të madh verior. Por për akademikët rol përcaktues për mos përhapjen e pandemisë është ajo që çfarë pritet të ndodhë në Tiranë, si vatra më e madhe e të prekurve nga Covid-19.

Raporti i plotë

Shkodra përkeqëson treguesin e rritjes ditore në shkallë vendi, por të shëruarit gjithsej në shkallë vendi ngjiten në 53.4 për qind. Ditë rekordesh kontrastuese në Botë: numri i jetëve të humbura dhe numri i të shëruarve në kuota të larta, të shëruarit nga COVID-19 mbi gjysmë milioni

Shtohet numri i vendeve europiane dhe në rajon që kanë hyrë në fazën e daljes- E-group-i ndërdisiplinar “Në ndjekje të pandemisë” i Akademisë së Shkencave vlerëson të dhënat e ditës së djeshme në një relacion me krahasime midis gjendjes së përhapjes dhe përballimit në Shqipëri, në rajon, në Europë dhe në Botë

Dje në vendin tonë u shenjua një rritje e ritmit të përhapjes së pandemisë. Shtimi i të sëmurëve të rinj qe në nivelin 4.7 për qind, nga 3 për qind që ishte rritja mesatare gjatë javës së fundit. Kjo rritje vjen drejtpërdrejt prej ndryshimeve përkeqësuese në Shkodër, ku u regjistruan 12 të prekur të rinj, duke e çuar ritmin e tri ditëve të fundit tek ai i një jave më parë, në 6-7 për qind, çka tregon edhe një herë nevojën e ngutshme për një ndjekje me përparësi të përhapjes së pandemisë në këtë qytet.

Ruajtja e një ritmi rritjeje në nivelet e pritshme në Tiranë, nën 3 për qind, është faktor përcaktues për ecurinë e pandemisë në shkallë vendi. Vazhdimi i ritmeve pozitive në shërimet bën që numri të shëruarve të ngjitet në 53.4 për qind, nga 52.2 dy ditë më parë.

Edhe në shkallë botërore është shenjuar një rritje e numrit të të sëmurëve, duke arritur në 4.2 për qind, nga 3.86 një ditë më parë: Europa ndoqi dje ritmin prej 3.57, ndërsa në SHBA ky tregues ishte 4.9 për qind. Gjatë ditës së djeshme u regjistruan dy rekorde kontrastuese: numri i jetëve të humbura arriti në 7.959, ndërkohë që numri i të shëruarve kaloi mbi 30 mijë.

Më shumë se gjysmë milioni njerëz kanë dalë tashmë të shëruar prej infektimit nga COVID-19, prej dy milionë vetëve të prekur gjithsej. Për Francën dhe SHBA dje qe një nga ditët më kritike, për shkak të humbjeve të larta njerëzore.

 

Në vendet kryesore europiane dhe në tërësi ritmet kanë ecur sipas prirjeve të ditëve të fundme. Vendet kryesore po i afrohen pikut, ndërkohë që Danimarka dhe Kroacia u janë bashkuar Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës, duke hyrë në fazën e uljes së numrit të të sëmurëve faktikë, që do të thotë të jesh në procesin e daljes nga pandemia. Edhe vende me peshë në botë për nga popullsia, si Irani e Brazili, kanë hyrë tashmë në këtë fazë.

Spanja, duke regjistruar sot nivelin 39 për qind me numrin e të shëruarve kundrejt atij të të sëmurëve, është në prag të fillimit të daljes nga pandemia, ndërkohë që Italia, me gjithë ritmet e ulëta në shtimin e të sëmurëve – dje shenjoi 1.6 për qind – nuk ka hyrë ende në këtë fazë, për shkak të nivelit të ulët të sherimëve, ndoshta kjo dhe prej metodologjisë në evidentimin e tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re